Inva Mula për koncertin e nesërm: I këndoj me zemër Kosovës, dashurisë së përjetshme

Inva Mula për koncertin e nesërm: I këndoj me zemër Kosovës, dashurisë së përjetshme

Showbiz May 07, 2022 - 00:09

Sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare, Inva Mula, do të jehojë nesër nëpërmjet një koncerti madhështor në Klan Arena.

Mula, në Edicionin Special në KK deklaroi se i këndon me zemër Kosovës, dashurisë së saj të përjetshme.

“Sa herë vij në Prishtinë e sa herë shkel në Kosovë është një kënaqësi e vërtetë dhe kam emocione të forta, është një lidhje e imja shpirtërore e gjatë dhe e përjetshme. Por, të vish për të bërë muzikë, për të ndarë skenën me artistë të tjerë, për të kënduar një buqetë të këngëve më të bukura shqiptare për mua është një kënaqësi e madhe personale në radhë të parë, pasi janë këngë që më kanë fjetur në zemër prej vitesh”.

“Të vish në një formacion të tillë në Klan Arena, që është formacion krejt tjetër nga forma klasike që unë kam bërë deri tani, është një formacion modern, i kohës dhe që e pëlqen rinia. Jemi në fazat e fundit të përgatitjeve, kështu që do të thosha është vetëm kënaqësi”.

“Janë këngë të mëdha, këngë që i kanë rezistuar kohës dhe janë 40-50 vjeçare, do të veçoja një nga këngët më të bukura “O zambaku i Prizrenit” apo “O ti me sytë e zi”.

Sopranoja, mes tjerash, bëri të ditur se një pjesë të koncertit do t’ia kushtoj babait të saj, Avni Mula.

“Një pjesë të programit do t’ia kushtoj krijimtarisë së babait tim, Avni Mula, pasi krijimtaria e tij është e artë dhe doja që një pjesë të koncertit t’ia kushtoja pikërisht ‘Valësit të lumturisë’, ‘Të verdhat kaçurrela’ dhe ‘Shqipëri o vendi im’, tha Mula. /klaonkosova