Artinë Ahmeti sjell koleksionin e radhës, krijimet e saj do arrijnë edhe në Paris Fashion Week

Artinë Ahmeti sjell koleksionin e radhës, krijimet e saj do arrijnë edhe në Paris Fashion Week

Showbiz June 16, 2021 - 22:51

Kurimi deri në perfeksion i çdo detaji, stili ‘’Haute couture’’, takimet vizuale me klientët si dhe vërja në pah e pjesëve më tërheqëse të klientit, konsiderohen si veçantia e disenjatores Artinë Ahmeti, e cila së fundmi ka publikuar koleksionin e veshjeve për vitin 2022 ku ndjeshmëria për idetë unike dhe përshtatja me stilin e tanishëm ka sjell krijime përmes së cilave vihen në pah linjat e bukura dhe të ndryshme trupore ku veshjet japin iluzionin se po përqafojnë trupin e personit si një dorezë e krijuar posaçërisht për ta, shkruan KultPlus.

Pasioni i saj për të krijuar veshje ka nisur qysh në fëmijëri ku dëshira e madhe për krijime të vogla dhe ndryshimi i veshjeve paraprake të saj, ka krijuar lidhjen e ngushtë me profesionin, duke u bërë kështu pjesë e pandashme për të.

Biznesi i saj filloi rrugëtimin në fund të vitit 2019, viti që tronditi botën me situatën pandemike e njëlloj ka goditur rëndë edhe biznesin e saj fillestar. Kjo situatë ka detyruar që puna të ndalohet për disa muaj rresht mirëpo me kalimin e kohës, këtë pauzë disenjatorja e ka zëvendësuar personalisht për të nis krijimet e saj menjëherë pas lirimit të masave.

Image

Përkatësisht në muajin korrik të vitit 2020, Ahmeti ka publikuar koleksionin e parë të saj dhe së bashku me shtatë bashkëpunëtorë, me një punë të palodhshme dhe mund të jashtëzakonshëm, kanë krijuar edhe koleksionin e fundit për vitin 2022.

Koleksioni i fundit ka ardhur si ide eksperimentale e disenjatores, ku ajo ka punuar me disa detaje, forma dhe ngjyra të cilat kanë rezultuar mjaft të dëshiruara nga masa. Objektivi kryesor në krijimet e saj është gjithmonë ‘’Ajo. Femrat’’, dhe jo vetëm që të duken bukur por edhe të ndjehen të fuqishme dhe të jenë vetvetja sepse sipas saj çdo femër është unike në vete, dhe kur ato ndihen rehat e të lumtura në atë që Ahmeti krijon për to, atëherë konsiderohet një arritje tejet e lartë për të.

Në një intervistë për KultPlus, disenjatorja Artinë Ahmeti ka folur rreth koleksionit të saj të fundit që është krijuar për një kohë relativisht të shkurtër por edhe për suksesin e saj që po shkel kufijtë.

“Koleksioni përfshinë 15 veshje, të cilat janë të krijuara për një kohë relativisht të shkurtër duke filluar qysh nga krijimi i temës, inspirimi, skicimi, përzgjedhja e materialeve, pastaj vazhdon me krijimin e patronave, qepjen dhe finalizohet me punën e dorës, gjë që e karakterizon punën tonë. Andaj, edhe procesi zgjat varësisht prej modelit dhe formave që janë për punë”, thotë Ahmeti.

Image

Sipas saj, kur bëhet fjalë për ngjyra dhe llojllojshmërinë e tyre, ajo gjithmonë tenton që t’i përshtatet trendëve të kohës, ndërsa të preferuarat e saj personale mbesin ngjyrat si ajo e zeza dhe nuancat nudo. Kurse, në koleksione dhe krijime ajo punon me cilëndo ngjyrë dhe formë.

“Sa i përket përzgjedhjes, pas pjesës ku zgjedhim temën e inspirimit dhe materialet, unë krijoj një numër relativisht te madh të skicave ku zgjedhen disa prej tyre në mënyrë kolektive. Ndërsa, porositë krijohen zakonisht duke i kombinuar me modelet paraprake të koleksioneve, me disa detaje që klientët dëshirojnë ti ndryshojnë dhe ti personalizojnë”, thotë Ahmeti për KultPlus.

“Secili klientë është i veçantë dhe kërkon një punë e përkushtim maksimal, në mënyrë që të jetë i kënaqur me punën dhe atë që kërkon”, potencon ajo.

Për Ahmetin, sfida më e madhe e hasur ka qenë kjo e fundit që ndodhi në gjithë botën ku si të gjitha bizneset e tjera, është dashur që puna të ndalet duke shtanguar krijimet e disenjatorëve për një kohë të cilën sot duket se është e tejkaluar.

“Besoj që secili në mënyrën e tij e sjell më të mirën në pah përmes krijimeve në frymën, stilin dhe profesionalizmin e personit. Për vete, mendoj që kam studiuar dhe punuar mjaftueshëm që të dal si një dizajnere e kompletuar dhe ti ofroj klientit produktin në mënyrën më profesionale të mundshme, në atë që quhet profesionalizëm”, përfundon Ahmeti për KultPlus.

Disa nga emrat e njohur që bartin emrin e Artinës në veshjet e tyre janë: Miss Alejandra Buitragoc dhe Miss Universe Ecuador 2020, Lejla Espinoza. Kurse, pjesëmarrja më e suksesshme e saj cilësohet ajo e fotosesionit për Miss Universe Colombia 2020, Maria Fernanda, për gazetën më të madhe në Amerikën Latine ‘’Pump Magazine’’, ku Fernanda ka zgjedhur pikërisht firmën e Ahmetit në mesin e shumë disajnerëve të botës.

Synimi i saj për të ardhmen është konsideruar rritja e firmës dhe shtrirja në mbarë botën sepse për momentin bashkëpunimet me tregun ndërkombëtarë si ajo me: Miss Universe Columbio 2020, funksionojnë vetëm online.

Image

 

Krejt për fund, disenjatorja ka zbuluar se linja e saj do të jetë pjesë e Paris Fashion Week në sezonin e ardhëm të vitit 2022 me një koleksion prej 10 veshjeve.

Artina rrugëtimin e saj në këtë profesion e ka nisur mbarë dhe sukseset në vazhdim duket sikur vetëm po presin ditën e duhur për tu shpalosur. 

Image

Image

Image