Flet për dhunimin dhe vetëlëndimin

Flet për dhunimin dhe vetëlëndimin

Showbiz nëntor 08, 2019 - 08:30
Lajmet e fundit nga showbizi

Ajo ka folur për dhunimin që kishte përjetuar si adoleshente, si dhe për traumat tjera të shumta që i kishte përjetuar gjatë karrierës

 Këngëtarja Lady Gaga me vite haptazi ka folur për shëndetin mendor dhe për traumat që kishte përjetuar në fëmijëri, transmeton "Zëri.info".

Mirëpo, në intervistën e re me Oprah Winfreyn ajo ka zbuluar detaje intime të padëgjuara më parë. Në të vërtetë, ajo ka folur për dhunimin që kishte përjetuar si adoleshente, si dhe për traumat tjera të shumta që kishte përjetuar gjatë karrierës. “Kam trauma post-depresioni pasi jam dhunuar me vite. Kam dhimbje kronike. Dhimbje neuropatike si përgjigje ndaj traumave janë pjesë e jetës sime. Jam nën ilaçe, kam disa mjekë që kujdesen për mua. Kështu mbijetoj”, ka rrëfyer ajo. Ajo e ka pranuar se me vite i ka shkaktuar vetes dhimbje duke e prerë veten.

“Një kohë të gjatë e kam prerë veten dhe e vetmja mënyrë që kam arritur ta ndal vetëlëndimin është kur e kam kuptuar se këtë po e bëja për t’u treguar njerëzve se jam në dhimbje në vend që t’ua tregoj të vërtetën. E them këtë me shumë forcë dhe përulje. Jam mirënjohëse që më nuk e bëj këtë”, ka thënë ajo dhe ka sqaruar se për këtë kishte përdorur një hile. Në të vërtetë, ajo vendos duart në ujin me akull.

“Kjo trondit sistemin tuaj nervor dhe ju kthen në realitet”, ka thënë ajo. Për fat ajo arrin t’i kontrolloj traumat e saj dhe çdo ditë punon në këtë. “Dikur mendoja se nuk ka kthim pas traumës. Isha në dhimbje fizike, mendore dhe emocionale. Ilaçet bëjnë punë, por për një pjesë duhet të punosh vetë”, ka përfunduar ajo./ZËRI