Njihuni me Valonin nga Prishtina, berberin e ish-kryeministrit David Cameron

Showbiz March 03, 2018 - 21:15

Valon Sadiku, është njëri ndër shqiptarët i cili është i suksesshëm në profesionin që e bënë në Londër, raporton “Zëri.info”.

Valoni me profesion është berber dhe aktualisht ai është pronar i një floktarie të famshme në qendër të Londrës e cila quhet “The Groom Smith”.

Dyqani i tij është i frekuentuar jo vetëm nga njerëz të zakonshëm, por edhe nga personalitete të ndryshme të Londrës, përfshirë politikanë, gazetarë, sportistë dhe njerëz të tjerë të botës së muzikës.

“Lokali është në qendër të Londrës, ku ajo pjesë vizitohet nga miliona turistë pasi që ajo pjesë dhe lokali është antik si dhe në të njëjtën kohë edhe modern. Vizita më së shpeshti kemi gjatë të enjtes, premtes edhe shtunës”, tregon me krenari Valoni.

Një ndër përvojat e tij më të veçanta është edhe rasti i ish-kryeministrit të Britanisë së Madhe, David Cameron, i cili ditë më parë ishte klient i tij.

Valoni thotë se në momentin kur ish-kryeministri britanez ka pyetur për prejardhjen e tij, ai me mburrje i ka treguar se është nga Kosova.

“Si klient mund ta veçoj ish-kryeministrin David Cameron i cili erdhi me djalin e tij. Ai më pyeti se prej cilit vend jam. I tregova që jam nga Kosova. Cameron po ashtu më tha se Kosova është duke ecur përpara mirëpo, çdo fillim është i vështirë”, tregon tutje Valoni për “Zëri.info”.

Ndryshe, Valon Sadiku këtë profesion e ushtron qe 20 vjet ndërsa në Angli ai operon prej vitit 2008.

Ai më parë në Prishtinë ka pasur lokalin “Trend” bashkë me vëllain e tij Kushtrimin.

Valoni për “Zërin” ka rrëfyer se dyqani i tij ka pamje antike dhe që kjo i ka sjellur shumë klientë, të cilët janë mahnitur nga kjo pamje.

Objekti ku gjendet dyqani i Valoni Sadikut në qendër të Londrës,  është i vjetër mbi 1000 vite.

“Dyqanin e kam dizajnuar vet dhe menjëherë ka bërë bujë  të madhe për shkak të pamjes së tij antike. Ky objekt është i vjetër 1030 vjet”, tregoi Valoni. /Zëri/

Image 
Image 
Image 
 
Image 
Image 
Image 
Image 
Image