Pse harresa mund të shfaqet gjatë shtatzënisë?, studimi sjell shpjegime të reja

Pse harresa mund të shfaqet gjatë shtatzënisë?, studimi sjell shpjegime të reja

Shëndetësi September 28, 2026 - 08:05

Harresa, vështirësia për t’u përqendruar dhe ajo që shpesh përshkruhet si “mjegullim mendor” mund të shfaqen gjatë shtatzënisë. Një studim i ri ka identifikuar një mekanizëm të mundshëm në tru që mund të shpjegojë këto ndryshime.

Studiuesit zbuluan një rrugë neuronale mes hipotalamusit, një strukturë që ndihmon në rregullimin e shumë proceseve të trupit, dhe hipokampusit, i cili luan rol të rëndësishëm në formimin e kujtimeve.

Sipas gjetjeve, nivelet e larta të estrogjenit gjatë shtatzënisë rrisin aktivitetin e disa neuroneve në hipotalamus, të cilat më pas ulin aktivitetin e hipokampusit dhe mund të ndikojnë përkohësisht në kujtesë, shkruan Reuters transmeton Gazeta Shneta.

Eksperimentet fillestare u kryen te minjtë. Kafshët që iu ekspozuan niveleve të larta të estrogjenit shfaqën dëmtime të përkohshme të kujtesës. Kur studiuesit çaktivizuan rrugën neuronale mes hipotalamusit dhe hipokampusit, problemet e kujtesës u zhdukën.

Studiuesit më pas vlerësuan kujtesën te 70 gra, disa shtatzëna dhe disa jo. Rezultatet treguan se problemet e kujtesës shfaqeshin kryesisht në fund të shtatzënisë dhe shoqëroheshin me nivele më të larta të estrogjenit në gjak.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se kjo nuk do të thotë se shtatzënia shkakton një rënie të përgjithshme të aftësive njohëse.

Ndryshimet duket se janë më specifike dhe mund të prekin kujtesën afatshkurtër, afatgjatë, hapësinore, sociale dhe verbale.

Fenomeni zakonisht zbehet pas lindjes. Autorët theksojnë gjithashtu se gjetjet te njerëzit mbështesin mekanizmin e identifikuar te minjtë, por nuk e vërtetojnë drejtpërdrejt atë. /Gazeta Shneta