Një analizë gjaku mund të identifikojë personat e shëndetshëm me rrezik të lartë për Alzheimer

Një analizë gjaku mund të identifikojë personat e shëndetshëm me rrezik të lartë për Alzheimer

Shëndetësi August 03, 2026 - 08:41

Një analizë gjaku mund të parashikojë nëse të moshuarit që aktualisht nuk shfaqin simptoma kanë gjasa të zhvillojnë sëmundjen e Alzheimerit brenda pesë ose dhjetë viteve të ardhshme, sipas AP.

Një studim i ri i publikuar në revistën “JAMA” tregon se testi mund të ndihmojë në identifikimin e personave me rrezik të lartë shumë përpara se të shfaqen problemet me kujtesën ose funksionet njohëse.

Studiuesit theksojnë se testi nuk është ende gati për përdorim të gjerë te personat e shëndetshëm.

Aktualisht ai përdoret kryesisht për të ndihmuar në diagnostikimin e pacientëve që tashmë kanë simptoma të dëmtimit njohës.

Megjithatë, në të ardhmen mund të luajë një rol të rëndësishëm në përzgjedhjen e pjesëmarrësve për studimet klinike që testojnë barna për parandalimin ose vonimin e Alzheimerit.

Analiza mat nivelin e një forme të proteinës tau, të njohur si p-tau217, e cila lidhet ngushtë me grumbullimin e pllakave amiloide dhe formimin e ngatërrimeve të proteinës tau në tru, dy shenjat kryesore biologjike të sëmundjes së Alzheimerit.

Sipas studiuesve, sa më i lartë të jetë niveli i kësaj proteine në gjak, aq më i avancuar mund të jetë procesi patologjik në tru.

Studimi përfshiu 2 684 të rritur të moshuar që nuk kishin simptoma të Alzheimerit kur u regjistruan në studim.

Rezultatet treguan se personat me nivelet më të larta të p-tau217 kishin një rrezik prej 38% për të zhvilluar dëmtime njohëse brenda pesë viteve dhe 78% brenda dhjetë viteve.

Në të kundërt, ata me nivele shumë të ulëta të biomarkerit kishin një rrezik të ulët.

Autorja kryesore e studimit, Dr. Reisa Sperling nga Mass General Brigham Neuroscience Institute”, tha se për momentin testi nuk duhet të kërkohet nga personat e shëndetshëm, pasi nuk ka ende një trajtim të provuar që të ndryshojë ecurinë e sëmundjes përpara shfaqjes së simptomave.

Ajo rekomandon që njerëzit të vazhdojnë të ndjekin zakone të shëndetshme, si ushqyerja e mirë, aktiviteti fizik, gjumi cilësor dhe angazhimi social.

Ekspertë të pavarur e vlerësuan studimin si një hap të rëndësishëm, por paralajmëruan se rezultatet duhet të interpretohen me kujdes.

Ata theksuan se vlerësimet për rrezikun 10-vjeçar janë më pak të sigurta, pasi vetëm një pjesë e pjesëmarrësve u ndoqën për një periudhë kaq të gjatë. /atsh