Mbi 6.800 pacientë u trajtuan brenda një viti, Klinika e Alergologjisë me shërbime 24 orë për rastet urgjente

Mbi 6.800 pacientë u trajtuan brenda një viti, Klinika e Alergologjisë me shërbime 24 orë për rastet urgjente

Shëndetësi February 13, 2026 - 10:34

Klinika e Alergologjisë, në kuadër të SHSKUK-së, ka ofruar diagnostikim, trajtim dhe profilaksë për mijëra pacientë gjatë vitit 2025, duke mbuluar të gjitha sëmundjet alergjike dhe imunologjike për çdo grup-moshë, duke përfshirë edhe rastet pediatrike.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë këtij viti në klinikë kanë marrë shërbime gjithsej 6.885 pacientë. Shërbimet përfshijnë trajtimin e alergjive respiratore, ushqimore, ndaj barnave dhe helmimeve nga insektet, si dhe menaxhimin e urtikaries akute e kronike dhe angioedemës, transmeton Zeri.info.

Në repart trajtohen pacientët mbi 18 vjeç, ku realizohen ekzaminime klinike, laboratorike dhe imazherike, si dhe testime dhe provokime të specializuara ndaj barnave, ushqimeve dhe substancave të tjera.

Brenda vitit janë kryer 58 provokime medikamentoze sipas standardeve ndërkombëtare, përfshirë testime ndaj anestetikëve të përgjithshëm dhe lokal, shërbim që ofrohet vetëm në kushte spitalore.

Klinika trajton gjithashtu pacientë me Angioedemë Hereditare, një sëmundje e rrallë, për të cilën tashmë ofrohet terapi adekuate falë përfshirjes së saj në listën esenciale të barnave.

Ambulanca emergjente funksionon 24 orë për rastet urgjente alergologjike te të rriturit dhe ofron trajtim ambulantor për fëmijët, duke siguruar ndërhyrje të menjëhershme në rastet me reaksione të rënda, duke përfshirë anafilaksinë. /Zëri