Rritet ndjeshëm diagnostikimi dhe trajtimi i mungesës së hekurit gjatë shtatzënisë
Një projekt për përmirësimin e cilësisë së kujdesit gjatë shtatzënisë ka rezultuar në një rritje të konsiderueshme të diagnostikimit dhe trajtimit të mungesës së hekurit te gratë shtatzëna.
Studimi, i prezantuar në Takimin e 67-të të American Society of Hematology (ASH) dhe i publikuar në revistën Blood, tregon se brenda një viti pas fillimit të projektit, testimet për mungesën e hekurit u rritën gjashtë herë, ndërsa infuzionet intravenoze të hekurit u rritën 20 herë.Para implementimit të projektit, vetëm 10% e grave shtatzëna i nënshtroheshin testimit për ferritinë, një proteinë që tregon nivelet e hekurit. Pas projektit, ky numër arriti mbi 60%, dhe rreth dy të tretat e grave të testuara rezultuan me mungesë hekuri.
Trajtimi me infuzione intravenoze për pacientet me mungesë hekuri solli përmirësim të nivelit të hemoglobinës mesatare nga 10.7 në 11.8 g/dL. Në të njëjtën kohë, përqindja e grave që kërkuan transfuzion gjaku pas lindjes u ul nga 3.1% në 2.7%.
Hematologu Richard Godby nga Mayo Clinic, autori kryesor i studimit, theksoi se këto rezultate tregojnë rëndësinë e rishikimit të kufijve për diagnostikimin e anemisë dhe testimin e mungesës së hekurit gjatë shtatzënisë.
Projekti gjithashtu sugjeron se trajtimi i hershëm i mungesës së hekurit mund të përmirësojë mirëqenien e grave, të reduktojë depresionin pas lindjes dhe të lehtësojë rikthimin në punë./Gazeta Shneta