Studim i ri zbulon si ndryshon truri i grave gjatë shtatzënisë
Një studim i ri ka zbuluar se truri i grave pëson ndryshime të dukshme gjatë shtatzënisë, një zbulim që mund të ndihmojë në kuptimin më të mirë të çrregullimeve si depresioni pas lindjes.
Shkencëtarët kanë analizuar trurin e një gruaje gjatë gjithë periudhës së shtatzënisë, duke krijuar hartën e parë të detajuar të këtij procesi, raporton Euronews Health përcjell Gazeta Shneta.“Ne donim të shikonim trajektoren e ndryshimeve të trurit në mënyrë specifike gjatë dritares së shtatzënisë,” shpjegoi Laura Pritschet, autorja kryesore e studimit nga Universiteti i Kalifornisë, Santa Barbara.
Autorët shpresojnë që ky hulumtim të ndihmojë një ditë në identifikimin e shenjave të hershme të çrregullimeve mendore, përfshirë depresionin pas lindjes. Për këtë qëllim, ekipi kërkimor ndoqi nga afër, Liz Chrastil, shkencëtare në Universitetin e Kalifornisë, Irvine, që mbeti shtatzënë përmes fekondimit in vitro (IVF).
Gjatë gjithë shtatzënisë dhe për dy vjet pas lindjes, studiuesit kryen skanime të shumta MRI dhe analiza gjaku për të ndjekur ndryshimet në trurin e saj. “Ka qenë një udhëtim shumë i gjatë,” u shpreh Chrastil, bashkautore e studimit të botuar të hënën në revistën “Nature Neuroscience”.
Në total, u realizuan 26 skanime para, gjatë dhe pas shtatzënisë, dhe rezultatet treguan se më shumë se 80 për qind e rajoneve të trurit të studiuara kishin reduktime në vëllimin e lëndës gri – pjesa e trurit përgjegjëse për proceset mendore dhe njohëse.