Kërpudha e rrallë që mund t’i shkatërrojë qelizat e kancerit, zbulohet sekreti i veprimit të saj

Kërpudha e rrallë që mund t’i shkatërrojë qelizat e kancerit, zbulohet sekreti i veprimit të saj

Shëndetësi September 03, 2025 - 11:55

Një kërpudhë e rrallë që rritet vetëm në Tajvan dhe lidhet me një specie të rrezikuar druri, për shumë kohë është përdorur në mjekësinë tradicionale bimore. Tani, shkencëtarët kanë zbuluar edhe efektin e saj antikancerogjen

Kërpudha Antrodia cinnamomea (e njohur edhe si Taiwanofungus camphoratus) ekziston vetëm në Tajvan dhe është e lidhur me një lloj të veçantë druri të rrezikuar. Ajo është përdorur për shekuj në përgatitje bimore, ndërsa studimet e fundit tregojnë se kjo kërpudhë ka aftësinë të luftojë kancerin përmes një klase specifike molekulash sheqeri.

Sipas hulumtimeve, Antrodia cinnamomea ka si efekt shkatërrimin e qelizave kancerogjene dhe reduktimin e inflamacionit. Shkencëtarët nga National Taiwan University dhe National Yang Ming Chiao Tung University zbuluan se kjo lidhet me një grup substancash që prodhon vetë kërpudha – polisakaridet e sulfuara (SPS). Këto janë molekula komplekse sheqeri, të përbëra nga glukoza, galaktoza dhe sulfati, të cilat më parë janë lidhur me veti antikancerogjene, por mekanizmi i saktë nuk ishte i kuptuar plotësisht, transmeton Telegrafi.

Një molekulë e fuqishme: N50 F2

Përmes kultivimit laboratorik, kërpudha A. cinnamomea është studiuar pa qenë nevoja të mblidhet nga natyra. Për të kuptuar më mirë efektet e saj, studiuesit zhvilluan metoda që e detyruan kërpudhën të prodhojë më shumë polisakaride të sulfuara. Kështu u identifikua një molekulë e veçantë N50 F2, e cila në eksperimente tregoi aftësinë të ulë markerët inflamatorë dhe të bllokojë apo shkatërrojë qelizat e kancerit të mushkërive.

Sigurisht, këto gjetje janë ende në fazë laboratorike dhe duhet të verifikohen te njerëzit, por ato hapin rrugë për zhvillimin e terapive të reja antikancerogjene. Në një artikull të botuar në revistën shkencore Carbohydrate Polymers, autorët theksojnë se polisakaridet SPS të Antrodia cinnamomea kanë potencial të madh në trajtime të ardhshme.

Vlera e natyrës në kërkimin farmaceutik

Ky zbulim tregon rëndësinë e kërkimit të substancave të reja mjekësore në natyrë. Studime të mëparshme kanë treguar se bota bimore, mikroorganizmat dhe madje edhe helmi i akrepave mund të japin substanca të vlefshme në luftën kundër sëmundjeve. Tani, në këtë listë i shtohet edhe kërpudha A. cinnamomea.

Shkencëtarët theksojnë se edhe pse është arritur të identifikohen molekula premtuese, do të duhet shumë punë për t’i shndërruar ato në ilaçe të sigurta dhe efikase për përdorim klinik.

“Studimi ynë tregon potencialin e përbërjeve natyrore të kërpudhave për zhvillime farmaceutike. Me një proces të kontrolluar të kultivimit dhe ekstraktimit, jemi optimistë se në të ardhmen këto substanca mund të përdoren si suplemente shëndetësore, por edhe si pjesë e trajtimeve klinike”, tha Chia-Chuan Chang, farmacist nga National Taiwan University.