Rritet kërkesa për analiza të tiroides në Prishtinë
Vetëm tri euro kushtojnë tri analiza bazike të gjëndrës tiroide si TSh, T3 dhe T4 në kujdesin parësorë të kryeqytetit.
Diagnostikë ka tashmë në baza ditore qysh nga shkurti i këtij viti në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe atë në Dardani të Prishtinës.
Një qytetare e cila në pasditen e së martës mori rezultatet e analizave të gjëndrës tiroide në QKMF, u shpreh tejet e kënaqur me këtë shërbim duke e konsideruar si masë lehtësuese, përfshirë edhe çmimin, krahasuar me ato në sektorin privat.
Pos këtyre analizave hormonale, për çdo ditë punë ofrohet edhe ajo për matjen e sheqerit në periudhë tre mujore.
Sipas drejtorit për Shëndetësi në Prishtinë, Izet Sadiku, thotë se tendenca e rritjes së sëmundjes së diabetit dhe gjëndrës tiroide ka ndikuar që këto shërbime të ofrohen për prishtinasit për pesë ditë pune.
Si shkak i kësaj edhe kërkesa për të tilla analiza është rritur dukshëm krahasuar me vitin e kaluar.
Sadiku thekson se përveç qëllimit që pacientët të kenë mundësi më të mirë të menaxhimit të sëmundjeve, është edhe të ju ndihmohet si shkak i situatës ekonomike, me synimin që vitin tjetër këto shërbime të zgjerohen edhe në qendrat tjera mjekësore.