Qytetarët do të përzgjedhin mjekun familjar brenda zonës banimit
Foto: Laura Hasani

Qytetarët do të përzgjedhin mjekun familjar brenda zonës banimit

Shëndetësi April 04, 2023 - 12:01

Ministria e Shëndetësisë ka miratuar kohë më parë Planin e Veprimit për përcaktimin e kritereve për regjistrin e banorëve në Kujdesin Parësor Shëndetësor.

Përmes një njoftimi është bërë e ditur se qëllimi i këtij plani është që secili qytetar të ketë mundësinë që të përzgjedh mjekun familjar brenda zonës së banimit dhe sigurimit të qasjes në shërbime shëndetësore në kohën e duhur dhe sipas kërkesës.

“Përmes përzgjedhjes së mjekut familjar do të krijohet lista e banorëve/pacientëve dhe kjo do të kontribuojë në rritjen e mbulueshmërisë së popullatës me shërbime shëndetësore. Rrjedhimisht, kjo do të ndikojë edhe në promovimin, edukimin dhe parandalimin e sëmundjeve të ndryshme, ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për shërbimet që ofrohen në Kujdesin Parësor Shëndetësor”, thuhet tutje në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se plani e thekson rëndësinë e përzgjedhjes së mjekut familjar për ruajtjen dhe përcjelljen e shëndetit të qytetarëve në vazhdimësi dhe përfitimet e qytetarëve nga ky proces.

“Fillimisht, procesi do të pilotohet në katër komuna: Lipjan, Istog, Prizren dhe Prishtinë (QMF-5- Ulpianë dhe QMF-6- Bregu i Dellit), për të vazhduar pastaj shtrirjen në tërë vendin”, thuhet në njoftim.

Ndryshe Ministria do të ju mbajë të informuar për hapat e mëtejmë në procesin e përzgjedhjes së mjekut familjar brenda zonës suaj të banimit dhe ecurinë e mëtejme. /Zëri