Vitia viziton Oftalmologjinë, thotë se dy milionë euro u kursyen nga buxheti falë shërbimeve të reja

Vitia viziton Oftalmologjinë, thotë se dy milionë euro u kursyen nga buxheti falë shërbimeve të reja

Shëndetësi March 29, 2023 - 14:13

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, i shoqëruar nga UD e drejtoreshës së SHSKUK-së, Narqize Arenliu Hoxhaj, vizitoi sot Klinikën e Oftalmologjisë në QKUK, ku u prit nga drejtori i kësaj klinike, Ardian Shabani.

Gjatë kësaj vizite ministri Vitia u njoftua se me shërbimin e kirurgjisë vitreoretinale (operacionet në segmentin e pasmë të syrit – Pars Plana Vitrectomi - PPV) është zvogëluar numri i pacientëve që trajtohen jashtë institucioneve shëndetësore publike, nga 500 raste të referuara në vit - siç ka ndodhur në të kaluarën, në rreth 100 raste në vit.

“Këto shërbime të reja, të cilat tani ofrohen në Klinikën e Oftalmologjisë, kanë ndikuar që të kursehen rreth 2 milionë euro buxheti, si dhe njëkohësisht kanë kursyer xhepat e pacientëve. Shpreh mirënjohjen time të thellë për punën e palodhshme të stafit shëndetësor në Klinikën e Oftalmologjisë”, tha ministri Vitia.

Vitia, po ashtu, tha se Ministria e Shëndetësisë do të ofrojë mbështetjen e saj të plotë për t'i mbuluar nevojat në bazë të rritjes së vëllimit të punës dhe shërbimeve në sallat operative, ambulancat specialistike, si dhe për të ofruar kushte më të mira të punës për stafin shëndetësor. /Zëri