SHBA: Dyfishohen infektimet me kërpudhën vdekjeprurëse

SHBA: Dyfishohen infektimet me kërpudhën vdekjeprurëse

Shëndetësi March 26, 2023 - 08:52

Në SHBA po përhapet me shpejtësi alarmante një kërpudhë vdekjeprurëse. Ajo është rezistente ndaj antibiotikëve.Infeksioni mykotik vdekjeprurës i cili është i vështirë për t'u trajtuar po përhapet me shpejtësi në SHBA.

Rastet e Candida auris në SHBA pothuajse u dyfishuan në vitin 2021 nga 756 në 1,471, thuhet në një raport të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Shumica e pacientëve të testuar me Candida auris ishin imun ndaj trajtimit me medikamente anti-mykotike. Për këtë arsye CDC e ka klasifikuar Candida auris si "kërcënim urgjent të rezistencës antimikrobike".

Personat me sistem të dobët imunitar ose ata që përdorin pajisje mjekësore si ventilatorë ose kateterë dhe vuajnë nga sëmundje të rënda, mund të vdesin, nëse bien në kontakt me infeksionin.

Rrezik vdekjeprurës për pacientët me sistem të dobët imunitar

Kërpudha, Candida auris, është një formë majaje që zakonisht nuk është e dëmshme për njerëzit e shëndetshëm, por mund të përbëjë një rrezik vdekjeprurës për pacientët me sistem të dobët imunitar që janë spitale apo në shtëpitë e të moshuarve.Kjo kërpudhë përhapet lehtë dhe mund të infektojë plagët, veshët dhe sistemin e qarkullimit të gjakut.

Disa shtame janë madje të ashtuquajtura superbaktere, pra që janë rezistente ndaj të tri klasave të barnave antibiotike që përdoren për trajtimin e infeksioneve mykotike.

Candida auris u identifikua për herë të parë në Japoni në vitin 2009 dhe po konstatohet që atëhere në gjithnjë e më shumë vende./dw