Aspirina mund të parandalojë disa lloje të kancerit

Aspirina mund të parandalojë disa lloje të kancerit

Shëndetësi February 24, 2023 - 18:32

Studimi i madh për një prej ilaçeve më të njohura është kryer nga shkencëtarët kinezë nga Universiteti i Hong Kongut. Sipas zbulimeve të tyre, përdorimi afatgjatë i aspirinës e zvogëlon rrezikun e shumë llojeve të kancerit.

Në studim, ekspertët i kanë përcjellë më shumë se 600.000 persona për t’i studiuar marrëdhëniet mes aspirinës dhe kancerit. Tek personat që kishin marrë nga një aspirinë çdo ditë për shtatë vjet, gjasat e shfaqjes së kancerit të mëlçisë ose ezofagut ishin më të vogla për 48%, ndërsa rreziku i shfaqjes së kancerit të lukthit ishte 38% më i ulët.

Shfaqja e kancerit të pankreasit u zvogëlua për 34%, ndërsa e kancerit të zorrës së trashë për 24%. “Rezultatet tregojnë se marrja afatgjatë e aspirinës mund ta zvogëlojë rrezikun e zhvillimit të shumë llojeve të kancerit. E kemi vërejtur një ndikim të madh të aspirinës në parandalimin e zhvillimit të kancerit në traktin e tretjes. Është zvogëluar paraqitja e kancerit të mëlçisë dhe ezofagut dhe atë në masë të madhe”, tha prof. Kelvin Tsoi.

Shkencëtarët, gjithashtu, studiuan se sa efekt ka marrja afatgjatë e aspirinës në reduktimin e formave të tjera të kancerit, siç është kanceri i gjirit, veshkave dhe fshikëzës, por zbuluan se aspirina nuk ka efekt në to. Megjithatë, aspirina e ulë paraqitjen e kancerit të mushkërive për 35%, leukemisë për 24% dhe prostatës për 14%.

Aspirina përbëhet nga acidi acetilsalicilik dhe përdoret për shumë probleme shëndetësore. Për shembull, ndihmon në parandalimin e sulmit në zemër dhe goditjes në tru. Në një studim të kohëve të fundit, është vërejtur se tek pacientët që e kanë ndërprerë marrjen e aspirinës ka ardhur deri tek sulmi i përsëritur në zemër ose goditja në tru, ndërsa tek ata që vazhduan ta përdorin atë, paraqitja e tyre u zvogëlua dukshëm. Megjithëse aspirina ka shumë përfitime, shumë mjekë nuk dëshirojnë t’ua përshkruajnë atë pacientëve të tyre për përdorim afatgjatë, sepse përdorimi i rregullt i aspirinës mund të shkaktojë gjakderdhje në zorrë.