Zgjoheni një apo më shumë herë gjatë natës – kërkoni ndihmën e mjekut

Zgjoheni një apo më shumë herë gjatë natës – kërkoni ndihmën e mjekut

Shëndetësi February 23, 2023 - 19:20

Nëse zgjoheni një herë apo dy herë natën për të shkuar në banjë edhe nëse nuk keni pirë shumë lëngje në darkë, vetëm një pyetje ju vjen në mendje: Pse ndodh? Dhe pas saj: Ka ndonjë mënyrë për ta ndaluar këtë?

Është shumë acaruese kur shtrihesh për të fjetur dhe të duhet të zgjohesh për shkak të fshikëzës së urinës që ka nisur të të shqetësojë. Dr. Ilene Rosen, anëtare e bordit të drejtorëve të Akademisë Amerikane të Mjekësisë për Gjumin, specializuar për problemet e gjumit dhe ato të brendshme të trupit dhe mushkërisë, shpjegon pse ndodh, problemet e fshehura që mund ta shkaktojnë dhe çfarë mund të bësh për ta kontrolluar.

Të ngrihesh vetëm një herë natën nuk është aq shqetësuese, por kur duhet të ngrihesh dy ose më shumë mund të bëhet problematike dhe tregues i ndonjë problemi në organizëm.

Si shumica e problemeve gjatë gjumit, rrënjët e nokturias, termi mjekësor për urinimin e shpeshtë gjatë natës, ka të bëjë me ritmin e brendshëm ditor.

“Në përgjithësi ora jonë e brendshme kontrollon shumicën e funksioneve në trupin tonë, por përveç orës qendrore ka edhe orë të nivelit qelizor, në të gjitha qelizat. Prandaj ka ndryshime të kësaj ore në organe të ndryshme”, thotë Rosen.

Kur ritmi i brendshëm është funksional, një person prodhon më pak urinë dhe e ka më pak të nevojshme të shkojë në banjë, por kur ritmi është disfunksional, fshikëza i harron oraret.

Nga ana tjetër, nuk është gjithmonë çështje e një ore të brendshme të çakorduar: një nga shkaqet më të shpeshta është plakja, që përfshin ndryshimet në funksionimin e fshikëzës, kryesisht ngaqë fshikëza nuk toleron volum të madh urine, sipas Rosen. Një person më i ri mund të flejë gjatë gjithë natës, ndërsa një person më i vjetër që prodhon të njëjtën sasi urine, duhet të çohet.

Një problem me shumë shkaqe

Pas këtyre, shkak mund të jetë edhe një gjendje shëndetësore dhe më e zakonshmja sipas Rosen është apnea frenuese e gjumit.

“Njerëzit me apnea frenuese të gjumit kanë arsye psikologjike për të shkuar në banjë gjatë natës. Në një apnea, truri jep sinjal për të marrë frymë dhe muskujt e gjoksit vihen në lëvizje, por rrugët e sipërme janë të mbyllura”, shpjegon ajo.

Ja çfarë ndodh: Kur diafragma kontraktohet, rritet trysnia mes mushkërive sepse rrugët e sipërme janë të mbyllura dhe trysnia shtrëngon zemrën. Kur zemra shtrëngohet, çliron hormonin peptid natriuretik atrial, që sinjalizon veshkat të prodhojnë më shumë urinë. Prandaj kur Rosen flet me një pacient me nokturia, ajo pyet për ndonjë simptomë tjetër të apneas së gjumit, siç është gërhitja

Sipas Rosen një shkak tjetër mund të jetë edhe sindroma e ngërçeve të këmbës, sepse njerëzit ngrihen në mes të natës edhe prej lëvizjes së tyre dhe e ngatërrojnë me nevojën për të shkuar në banjë. Sëmundje si problemet e zemrës apo diabeti mund të jenë shkaq që njerëzit çohen disa herë gjatë natës. Po ashtu dhe shtatzënia dhe obeziteti.

Sipas Rosen, çdo shtrëngesë abdominale që rrit trysninë në kavitetin e barkut u krijon njerëzve përshtypjen sikur e kanë fshikëzën plot.

Çfarë duhet bërë më pas

Pasi ke përcaktuar shkakun e vizitave të pakëndshme në banjë gjatë natës, hapi tjetër është të zbulosh si mund t’i kontrollosh. Për fat të keq, nuk ka një mënyrë për të ndryshuar rutinën ditore që parandalon zgjimet gjatë natës, përveçse të kontrollosh sasinë e lëngjeve që pi dhe të marrësh ndonjë medikament diuretik më herët gjatë ditës. Megjithatë, nëse je i moshuar fshikëza e të cilit është hiperaktive për shkak të shtrëngimeve të muskulit sfinkter, mund të bësh disa ushtrime të legenit për të përmirësuar kontrollin.

Një nga mënyrat më të mira për të menaxhuar nokturian, sigurisht shoqëruar me një vizitë te mjeku për të parë mos pas saj fshihet ndonjë problem shëndetësor, është të përmirësosh higjienën e gjumit. Vendos një orar të qëndrueshëm gjumi dhe zgjimi, minimizo faktorët stimulues para gjumit dhe bëje rrugën për në banjë sa më të lehtë që mos të jetë shumë shqetësuese kur të vij koha.

Lëre trajektoren të lirë dhe ndiz një dritë të vogël nate që mos të ndezësh dritat kryesore që do ta prishin gjumin dhe do ta bëjnë më të vështirë të zërë përsëri gjumi kur kthehesh në anën tënde të krevatit. /Telegrafi/