Çfarë dimë për variantin e ri të COVID-19, XBB.1.5?
Një variant i ri Omicron XBB.1.5 po shkakton shqetësime midis shkencëtarëve pasi po përhapet me të madhe në dhjetëra vende, me agjencinë shëndetësore të OKB-së që e quan atë “nënvariantin më të transmetueshëm të zbuluar deri më tani”.
Sipas mediave të huaja, në Shtetet e Bashkuara, XBB.1.5 tani përbën më shumë se 40 për qind të rasteve të COVID-19, duke u rritur ndjeshëm nga 2 për qind në javën e parë të dhjetorit.
Tani është lloji i dytë më dominues i SHBA-së.
XBB.1.5, i cili është një pasardhës i nënvariantit Omicron XBB, ka filluar të jetë më shumë prezent në pjesë të Evropës, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Dy variante të tjera të Omicron – BA.5.2 dhe BF.7 – ishin llojet dominuese pas një rritje të mprehtë të rasteve të COVID-19 në Kinë.
Dhe Pekini ka thënë se të paktën 60,000 njerëz kanë vdekur gjatë muajit të kaluar.
Ja çfarë dimë për XBB.1.5:
Çfarë është XBB.1.5?
XBB.1.5 është një nën-variant i llojit Omicron të coronavirusit COVID-19, “varianti më i transmetueshëm deri më sot”.
Përhapja e Omicron në fillim të vitit të kaluar çoi në një numër rekord të infeksioneve në mbarë botën.
I quajtur jozyrtarisht Kraken, XBB.1.5 është një nënlinje e XBB – një kombinim i dy shtameve të nënvariantit BA.2. Ai u zbulua për herë të parë në tetor 2022 në SHBA.
XBB.1.5 ka qarkulluar në të paktën 38 vende, duke përfshirë Kanadanë, Australinë, Kuvajtin, Gjermaninë dhe Francën, shkruan më tej Al Jazeera, përcjell Telegrafi.
A është XBB.1.5 më infektues?
Më 4 janar, Maria Van Kerkhove, drejtuesja teknike e OBSH-së për COVID-19, tha se XBB.1.5 është “nënvarianti më i transmetueshëm i zbuluar deri më tani”.
“Arsyet për këtë janë mutacionet që janë brenda këtij nënvarianti të Omicron duke lejuar që ky virus të ngjitet në qelizë dhe të replikohet lehtësisht”, shtoi ajo.
Ndryshe, coronavirusi SARS-CoV-2 ka vazhduar të ndryshojë që kur u shfaq tre vjet më parë.
Dhe shkencëtarët kanë luftuar për të përmbajtur coronavirusin pasi ai vazhdimisht ka pësuar mutacion – që do të thotë se ka ndryshuar kodin e tij gjenetik.
Mutacionet nënkuptonin gjithashtu se virusi mund të shmangte sistemin imunitar dhe vaksinat.
Sipas ekspertëve, një mutacion i njohur si F486p i jep Kraken një avantazh më të madh se XBB, duke e lejuar atë të lidhet më mirë me receptorin ACE2 në qeliza – një proces përmes të cilit COVID-19 përhapet te njerëzit.
Simptomat e nënvariantit janë të ngjashme me shtamet e mëparshme të Omicron duke përfshirë kongjestion, rrjedhje hundësh dhe temperaturë.
A mund të çojë XBB.1.5 në sëmundje më serioze?
Aktualisht, OBSH ka thënë se nuk ka prova përfundimtare që Kraken do të çojë në sëmundje më të rënda se paraardhësit e tij.
Një vlerësim i brendshëm i rrezikut i publikuar nga agjencia e OKB-së më 11 janar tregoi se XBB.1.5 nuk “mbart ndonjë mutacion të njohur të lidhur me një ndryshim të mundshëm në ashpërsi”.
Megjithatë, ajo pohoi se vlerësimet rreth ashpërsisë së virusit po vazhdonin.
Ndërkohë Ryan Gregory nga Universiteti i Guelph në Kanada i tha Al Jazeera-s se mund të jetë e vështirë të përcaktohet nëse një variant është më i rëndë, sepse kishte “variante të shumta që qarkullonin në të njëjtin vend”.
“Në SHBA-në verilindore, ku XBB.1.5 është më i përhapur, ka ende shumë BQ.1 dhe BQ.1.1 [nënvariantet Omicron] që qarkullojnë. Nuk ka ende ndonjë indikacion që ka të ngjarë të jetë më i rëndë, as që do të shkaktojë një valë me madhësinë e Omicron-it të parë dimrin e kaluar”, tha profesori i biologjisë evolucionare.
“Gjithashtu, siç mësuam me valën e parë Omicron, më pak virulente [se Delta] nuk do të thoshte më pak shtrime në spital dhe vdekje – 2022 ishte viti më vdekjeprurës i pandemisë në Kanada, për shembull, dhe kjo ishte e gjitha me Omicron”.
Për më tepër, Gregory tha se situata me variantet kishte ndryshuar në muajt e fundit.
A do të funksionojnë vaksinat?
Ashtu si “mëma” e tij XBB, Kraken ka veti të forta të imunitetit evaziv krahasuar me nën-linjat e mëparshme të Omicron, sipas shkencëtarëve.
Profesori i Universitetit të Guelph, Gregory i tha Al Jazeera-s se të gjitha indikacionet ishin se vaksina bivalente – e cila përfshin një kombinim të virusit origjinal dhe variantit Omicron – vazhdon të ofrojë “mbrojtje të mirë” duke përfshirë shtamet XBB në drejtim të parandalimit të sëmundjeve të rënda akute, përcjell Telegrafi.
“Ata nuk e ndalojnë transmetimin dhe është më pak e qartë se sa mirë mbrojnë nga rreziku i COVID-it të gjatë, por ata punojnë për të reduktuar shtrimet në spital”, shtoi ai.
“Kjo do të thotë, nëse njerëzit marrin doza përforcuese të vaksinës – në shumë vende, normat e përforcuesve kanë qenë shumë të ulëta”.
Ndërsa Syra Madad, drejtoreshë e lartë e Programit të Patogjenëve Special në të gjithë Sistemin në NYC Health + Hospitals tha se përveç qëndrimit të azhurnuar me vaksinat, ishte e rëndësishme që të “vazhdojmë me mbrojtjen, pasi asnjë shtresë nuk është 100 për qind”.
“Kjo përfshin mbajtjen e një maske me cilësi të lartë në ambiente të brendshme me ventilim të dobët ose në hapësira të mbushura me njerëz”, ka thënë ajo.