Komuna e Fushë-Kosovës kërkon të mos përdoret uji i pijes nga banorët e Hencit
Foto: Ilustrim

Komuna e Fushë-Kosovës kërkon të mos përdoret uji i pijes nga banorët e Hencit

Shëndetësi November 08, 2021 - 16:15

Drejtoria e Inspekcionit e Komunës së Fushë-Kosovës ka kërkuar nga banorët e fshatit Henc që të mos e përdorin e ujin e pijes në këtë kohë.

Ujin, sipas njoftimit, mund ta përdorin vetëm pas shpalljes së rezultateve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, i cili tashmë i ka marrë mostrat e puseve për analiza kimiko-bakterologjike.

“Rekomandojmë qytetarëve të këtij fshati që ta përcjellin web-faqen e komunës së Fushë Kosovës pasi që sapo të dalin rezultatet nga IKSHPK, inspektorati sanitar i komunës do të ju njoftojë”, thuhet në njoftimin e kësaj komune, raporton Zeri.info.

Konsumatorët e rrugës “Avdyl Henci”, në fshatin Henc të Komunës së Fushë-Kosovës, para disa ditësh janë ankuar në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, rreth cilësisë së ujit të pijes, por kjo e fundit kishte sqaruar fillimisht se pas analizave ka rezultuar se uji është në parametra të rregullt dhe nuk janë vërejtur ndonjë baktere, po as ndonjë aromë e keqe.

Sipas kompanisë, menjëherë pas ankesës kanë kontaktuar ekipet e laboratorit, me ç’rast janë bërë analizat e ujit të cilat kanë rezultuar që uji është në parametra të rregullt dhe nuk është vërejtur ndonjë baktere, po as ndonjë aromë e keqe.

“Tashmë uji është ndërprerë për shkaqe sigurie dhe ekipet janë në terren për identifikimin e vatrës së kundërmimit. Dyshimet janë se ndonjë nga puset private po futë ujin në sistemin e shpërndarjes. Mungesë të furnizimit për fshatin Henc do të ketë deri në identifikimin e vatrës kundërmuese”, thuhej në njoftim.

Ndërkaq dje, KRU “Prishtina” njoftoi njoftuar se pas vizitës së ekipit të drejtorisë teknike të kompanisë së ujësjellësit së bashku me IKSHPK-në dhe departamentin për kualitetin e ujit – laboratorin e KRU “Prishtina”, në shoqërimin e stafit të NJOU Fushë-Kosovë është identifikuar vatra prej ku kishte depërtuar uji nga pusi privat në sistemin e shpërndarjes në rrugën “Avdyl Henci”.

“Vatra prej ku është vërtetuar se uji ka hyrë nga pusi privat në sistemin e shpërndarjes gjendet në rrugën ‘Abdyl Henci’/ rrugica ‘Ara e Madhe’ në fshatin Henc”, u tha në njoftim.

Arsyeja e problemit në njoftim thuhet se për fat të keq është si pasojë e mos kujdesit të banorëve në instalime jo adekuate të sistemeve të tyre private, ku ka raste të paraqiten rreziqe të tilla.

“Falë intervenimit të shpejt dhe shumë profesional të KRU ‘Prishtina’ nën monitorimin e IKSHPK – sektori i ujit për pije, është arritur që të lokalizohet shpejt dhe të zgjidhet ky problem”, u tha në njoftimin e djeshëm.