Rreziku nga Delta, simptomat e një gripi normal që nuk duhen nënvlerësuar
Foto: AA

Rreziku nga Delta, simptomat e një gripi normal që nuk duhen nënvlerësuar

Shëndetësi July 10, 2021 - 15:14

Varianti i ri i virusit Covid-19, i njohur si Delta, po qarkullon në 90 vende të botës. Europa po ashtu është prekur nga ky mutacion i ri, ndërsa raste janë raportuar edhe në Ballkanin Perëndimor.

Shqipëria nuk ka konfirmuar ende raste me variantin e ri, teksa janë dërguar për ekzaminim disa teste. Autoritetet shëndetësore thonë se po punohet paralelisht me disa metoda, për të gjurmuar nëse ka raste me mutacionin që mori përhapje nga India.

Delta është vështirë për t’u kuptuar nga qytetarët. Shenjat e tij janë si të një gripi normal ndaj ekspertët bëjnë thirrje për të mos neglizhuar asnjë shenjë shqetësuese gjatë këtyre ditëve. Përhapja e virusit është e lartë dhe e shpejt dhe mënyra më e mirë e identifikimit janë kryerja e testeve.

Muaji gusht parashikohet si koha kur varianti Delta do të ketë përhapjen më të madhe në popullatë. Hapja totale e vendit duke lejuar hyrjen e turistëve pa asnjë lloj kufizimi, shihet si një rrezik i shtuar për infektimin e vendit nga mutacioni i ri.

Mungesa e informacioneve, bën që ekspertët e shëndetit publik të hasen me kufizime sa i përket parashikimeve sesi do të vijojë pandemia. Infektimi nga ky variant është po ashtu i lartë, ndaj vaksinimi shihet si mbrojtja më e mirë.

Këshillohet që të kryhen dy dozat e vaksinave, në mënyrë që antitrupat të jenë të mjaftueshëm për të luftuar çdo infeksion që hyn në organizëm. Autoritetet thonë se janë marrë masat që vendi të ketë furnizim të mjaftueshëm me vaksina, ndaj u bëhet apel qytetarëve për t’u paraqitur pranë qendrave të vaksinimit.

Të dhëna nuk ka as rreth imunitetit nga vaksinat, ndaj vjeshta shihet si sprova e radhës për autoritetet shëndetësore. Zbatimi i masave po ashtu luan një rol të rëndësishme në frenimin e përhapjes së virusit Covid-19, ndaj autoritetet bëj thirrje për respektim të tyre. Në Shqipëri kanë ardhur mbi 1 milion vaksina anti-Covid. Sasinë më të madhe të tyre e zënë dozat e kinezes Sinovac, ndjekur nga Pfizer, AstraZeneca dhe më pak Sputnik V. Nëse më parë vaksinimet ditore arritën në 20 mijë, kjo shifër sot ka zbritur në 5 mijë vaksinime. /a2news