Këto janë vlerat ushqyese të luleshtrydheve

Këto janë vlerat ushqyese të luleshtrydheve

Shëndetësi June 08, 2021 - 08:48

Në muajin qershor, kur është sezoni i luleshtrydheve, njerëzit konsumojnë në sasi të madhe këtë frut, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se një filxhan me luleshtrydhe të prera në feta përmban vetëm 46 kalori kundrejt vlerave të larta ushqimore.

Theksohet se nga kjo sasi luleshtrydhesh ne përftojmë 85 mg vitaminë C, 23 mg kalcium, 19 mg magnez, 35 mg fosfor, 220 mg potasium, 10 mcg beta-karotinë dhe shumë vitaminë B.

Luleshtrydhet janë veçanërisht të pasura me antioksidantë, përbërës kimikë që mund të ndikojnë në uljen e rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare, disa llojeve të kancerit dhe sëmundjeve të ndryshme kronike.

Flavonoidët janë përbërësit kryesorë fenolikë të pranishëm te luleshtrydhet. Ata u japin ngjyrën e kuqe dhe janë ndër përbërësit kryesorë që ndikojnë më shumë nëpërmjet vlerave të tyre antioksidante. Si flavonoidë mund të përmenden antocianinët, të cilët mendohet se kanë efekte mbrojtëse ndaj kancerit si dhe pengojnë zhvillimin e qelizave kanceroze të zorrës së trashë, prostatës dhe kavitetit të gojës.

Luleshtrydhet janë të pasura me acid elagjik. Acidi elagjik është përbërësi kryesor i elagjitaninëve, i njohur për karakteristikat e tij antimikrobike dhe antivirale.

Reçeli i luleshtrydheve mbetet antioksidant. Gatimi shkakton një pakësim të vogël të antioksidantëve, por këta të fundit janë ende të pranishëm në reçel. Sasia e antioksidantëve është pothuajse e njëjtë në reçelin me luleshtrydhe dhe luleshtrydhet e freskëta.

Këshilla praktike

Kërkoni luleshtrydhet me ngjyrë të kuqe të shndritshme. Luleshtrydhet janë më të mira kur sapo janë vjelë dhe humbasin një pjesë të mirë të shijes gjatë kohës së transportit.

Luleshtrydhet nuk mund të mbahen më shumë se 2 – 3 ditë në frigorifer. Është mirë të mos ngjeshën me njëra-tjetrën dhe të lahen përpara se të hahen. Luleshtrydhet nuk duhet të mbahen në ambalazh hermetik, sepse ato duhet të marrin ajër.