Inflamacion i muskulit të zemrës pas vaksinimit me BioNTech në Izrael?

Inflamacion i muskulit të zemrës pas vaksinimit me BioNTech në Izrael?

Shëndetësi April 28, 2021 - 18:00

Ende nuk ka prova se ekziston me të vërtetë një lidhje midis miokarditit të diagnostikuar së fundmi dhe vaksinës BioNTech/Pfizer. Ministria izraelite e Shëndetësisë aktualisht po studion disa raste të tilla të raportuara nga media izraelite.

Një analizë e cituar nga media nuk u botua nga ministria dhe një akumulim i pazakontë i rasteve sëmundjes nuk është provuar, tha një zëdhënëse e Ministrisë. Nuk ka "asnjë rritje të qartë të vdekshmërisë për shkak të vaksinimit dhe gjithashtu nuk është e sigurt që krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka një rritje të numrit të inflamacionit të muskulit kardiak". Një numër i ngjashëm i rasteve të inflamacionit të muskulit kardiak është raportuar edhe në vitet e fundit.

Jo raport zyrtar

është e paqartë se kush ua nisi mediave izraelite raportin paraprak të një grupi ekspertësh. Sipas raportit, te më shumë se pesë milionë personat e vaksinuar, kishte "dyzina raste" të tilla, kryesisht pas dozës së dytë të vaksinës BioNTech/Pfizer.

Fjala është për 62 raste të inflamacionit të muskulit të zemrës, kryesisht tek meshkujt e rinj mes moshës 18 dhe 30 vjeç. Shumica e pacientëve tani ka dalë nga spitali në gjendje të mirë. Sidoqoftë, një grua 22 vjeçare dhe një burrë 35 vjeçar kanë vdekur. Me sa duket ata nuk kishin ndonjë sëmundje të mëparshme.

Raportimet për efekte të mundshme të padëshiruara sjellin paqetësi

Edhe nëse përfundimet janë paraprake dhe gjithçka duhet të studiohet, sipas raporteve të medias, duhet të ketë një lidhje midis vaksinës dhe rasteve të sëmundjes: "është e mundur që shfaqja e rasteve të inflamacionit të muskulit të zemrës të ketë lidhje me vaksinimin (sidomos me dozë e dytë)", e citon Jerusalem Post raportin. "Për momentin ekziston përshtypja e një numri më të lartë të të inflamacionit të muskulit kardiak sesa pritej, veçanërisht për grupmoshën deri në 30 vjeç", thuhet atje.

Sipas kësaj, rreziku i inflamacionit të muskulit të zemrës pas vaksinimit me vaksinën e BioNTech/Pfizer mund të jetë 1:100.000 për të gjithë popullsinë, ndërsa mund të jetë 1:20.000 për meshkujt e rinj.

Ministria e Shëndetësisë po shqyrton rastet

Edhe nëse raporti nuk e ka burimin te Ministria izraelite e Shëndetësisë, ajo do ta diskutojë këtë "raport të rëndësishëm" me ekspertë dhe do t'i publikojë rezultatet në ditët e ardhshme. Aktualisht nuk ka asnjë lajm në faqen e internetit të Ministrisë izraelite të Shëndetësisë në lidhje me efektet e padëshiruara kardiake të mundshme të vaksinës së BioNTech/Pfizer Comirnaty.

Megjithatë, është e vështirë të vendoset një lidhje midis sëmundjes dhe vaksinës, sepse inflamacioni i muskulit kardiak mund të shkaktohet nga shumë viruse të tjera. Përveç kësaj, inflamacioni i muskulit kardiak shpesh zhvillohet pa simptoma ose komplikime, gjë që e bën të vështirë diagnozën.

Inflamacioni i muskulit kardiak mund të mjekohet mirë dhe rrallë mbeten pasoja. Po të mos mjekohet, inflamacioni mund të shkaktojë çrregullime të ritmit të rrahjes së zemrës ose dobësi të zemrës. Në raste të rralla, inflamacioni i muskulit kardiak çon në vdekje kardiake të papritur.

Prodhuesi i vaksinës e mohon lidhjen

Prodhuesi i vaksinave BioNTech/Pfizer njoftoi se efektet anësore të padëshiruara kontrollohen rregullisht dhe rrënjësisht. "Ne nuk kemi vërejtur një numër më të lartë të miokarditit, se sa pritej në popullatën e përgjithshme," thuhet në një deklaratë të Pfizer. "Një lidhje shkakësore me vaksinimin nuk është konstatuar. Tani për tani nuk ka prova se ekziston ndonjë rrezik i miokarditit i lidhur me vaksinën e BioNTech/Pfizer."

Fakti që në muajt e fundit ka pasur më shumë informacione në lidhje me vaksinën e BioNTech nga Izraeli ka të bëjë me strategjinë e zgjuar të vaksinimit të Izraelit. Izraeli arriti të siguronte herët sasi të mëdha të vaksinës së lakmuar, jo vetëm sepse pagoi shumë më tepër sesa BE për vaksinën, por edhe se shteti mori përgjegjësinë për produktin. 

Mbi të gjitha, Izraeli e furnizon Pfizerin çdo javë me shifra të infektimit dhe vaksinimit, por edhe në mënyrë të anonimizuar edhe me informacione demografike të pacientëvëve, të tilla si mosha dhe gjinia. Falë sistemit të digjitalizuar shëndetësor në Izrael, kompanitë farmaceutike jo vetëm që marrin të dhëna shumë shpejt dhe me besueshmëri, por marrin shumë më tepër të dhëna se sa do të merrnin nga çdo studim.

Si shpërblim, prodhuesit e vaksinave marrin përsipër të furnizojnë Izraelin me vaksina derisa të arrihet imuniteti i tufës, d.m.th. një imunitet i 95% të popullsisë, në vend. Aktualisht pothuajse 60% e 9.3 milionë izraelitëve, janë vaksinuar me vaksinën e BioNTech/Pfizer.

Dhe sukseset e fushatës izraelite të vaksinimit tashmë mund të shihen qartë: ndërsa numri i infektimeve në javë në fillim të vitit ishte rreth 600 infeksione të reja për 100.000 banorë, incidenca tani është 11.

Meqenëse Izraeli vaksinon vetëm me vaksinën e BioNTech dhe Pfizer për Covid-19, ka një interes të madh për lajmet. Sidoqoftë, nëse ka një lidhje midis vaksinës dhe sëmundjes, kjo mund të sqarohet vetëm me një studim të hollësishëm. /DW