Infektuar: 18148
Shëruar: 15150
Vdekur: 666
Riinfektimi nga COVID-19 i rrallë, por i mundshëm - 5 raste të tilla në gjithë botën

Riinfektimi nga COVID-19 i rrallë, por i mundshëm - 5 raste të tilla në gjithë botën

Shëndetësi October 18, 2020 - 08:46

Raportet e riinfektimit me koronavirus ngjallin frikën për të ardhme të ankthshme: vaksina të pafuqishme, mbyllje të pafundme ekonomike, kthim të sëmundjes – me një fjalë, një pandemi pa fund.

Një studim i publikuar në fillimjavë, i lidhur me rastin e një 25-vjeçari në Nevada të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka ringjallur ato shqetësime përsëri. Burri, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, është sëmurur për herë të dytë nga virusi korona, çështje që ka ngjallur vëmendje të madhe pasi normalisht sistemi i imunitetit supozohet se e parandalon infektimin për herë të dytë.

Pesë rastet e rralla

Por rastet e ngjashme janë bërë lajm pikërisht për shkak se janë të rralla, thonë ekspertët: Më shumë se 38 milionë njerëz në mbarë botën janë infektuar deri tani me koronavirus, dhe deri në të hënën janë regjistruar jo më shumë se pesë raste që besohet shkencërisht se janë riinfektuar.

“Kjo është vetëm një pikë në oqean krahasuar me numrin e rasteve që kanë ndodhur në krejt botën”, ka thënë Angela Rasmussen, virologe në Universitetin Columbia në New York, shkruan “New York Times”.

Në shumicën e rasteve infektimi për herë të dytë me virus manifestohet me simptoma të buta, ose pa to fare. Por për së paku tri prej tyre, përfshirë një pacient nga Ekuadori, sëmundja ishte më e ashpër se herën e parë të infektimit. Një plakë 89 vjeçe në Holandë vdiq si pasojë e infektimit me virus për herë të dytë.

Pavarësisht sa të rralla janë rastet e tilla, ato tregojnë se infektimi për së dyti është i mundshëm, ka thënë Akiko Ivasaki, imunolog në Universitetin e Yalet, e cila ka shkruar një koment shoqëruar rastit të studimit në Nevada, të publikuar në revistën “The Lancet Infectious Diseases”, Koha.

“Është e rëndësishme të theksohet se ka njerëz të cilët janë infektuar për së dyti, dhe në disa prej atyre rasteve, sëmundja është manifestuar më përshkallëzueshëm”, ka shtuar doktori Ivasaki. “Ende duhet të mbani maskën dhe distancimin social edhe nëse keni marrë veten nga infektimi”.

Ekipi i gazetës njujorkeze ka pyetur ekspertët për infektimet me koronavirus, dhe çfarë do të thotë fenomeni për vaksinat dhe rrjedhën e pandemisë.