Lodhja, simptoma që i përcjell pacientët e shëruar nga koronavirusi

Lodhja, simptoma që i përcjell pacientët e shëruar nga koronavirusi

Shëndetësi September 28, 2020 - 10:42

Që nga nisja e pandemisë së koronavirusit një nga aspektet thelbësore për të kuptuar nëse jemi infektuar ose jo ishte dallimi i simptomave. Kryesoret janë temperatura dhe kolla e thatë. Simptoma të tjera janë humbja e nuhatjes dhe shijes. Në rastet e rënda, vështirësia në frymëmarrje.

Një studim i kërkuesve shkencorë të spitalit “St. James” dhe “Trinity Translational Medicine Institute” të Dublinit, Irlandë, thotë se lodhja fizike është simptoma më e qartë për të kuptuar nëse e keni kaluar sëmundjen.

Sipas këtij studimi, më shumë se gjysma e pacientëve që u vëzhguan (52,3%) thanë se ndiheshin të lodhur gjatë gjithë kohës 10 javë pas infektimit, periudhë ku supozohet që të ishin rikuperuar, raporton “Sciencealert”.

“Përderisa veçoritë treguese të infektimit me SARS-CoV-2 janë karakterizuar mirë, pasojat afatmesme dhe afatgjata të infeksionit mbesin të paeksploruara”, ka thënë Liam Townsend, nga spitali “St James's and Trinity Translational Medicine Institute” në kolegjin “Trinity” në Dublin, transmeton “Zeri.info”.

Studimi, që vëzhgoi 128 pjesëmarrës në spitalin “St James's”, gjeti se 52 për qind e tyre raportuan lodhje të vazhdueshme kur u kontrolluan mesatarisht 10 javë pas “shërimit klinik” nga infeksioni, pavarësisht se sa serioze ishte gjendja e tyre fillestare nga infeksioni.

Shkencëtarët irlandezë shtojnë gjithashtu se lodhja shfaqej në të dyja rastet: edhe kur kishte simptoma të lehta, edhe kur ato ishin të rënda.

Autorët thanë se këto gjetje treguan se duhet bërë më shumë punë për të vlerësuar ndikimin e COVID-19 te pacientët në periudhë afatgjate.

“Gjetjet tona demonstrojnë një barrë të konsiderueshme të lodhjes post-virale tek individët me infeksion të mëparshëm SARS-CoV-2 pas fazës akute të sëmundjes COVID-19”, përfunduan ata. /Zëri