Keni probleme me rrugët e frymarrjes? Njihuni me kurën natyrale me rigon të kuq

Keni probleme me rrugët e frymarrjes? Njihuni me kurën natyrale me rigon të kuq

Shëndetësi nëntor 08, 2019 - 13:58
Detajet

Rigoni i kuq është me famë si rigoni më i rrallë dhe me aftësi të mrekullueshme. Karakteristika e veçantë e tij është se kur bie në kontakt me ujin e nxehtë, aroma që lëshon është unike dhe nuk ka të krahasuar me rigonin e zakonshëm. Studime të mirëfillta shkencore kanë treguar që në një gram rigon gjenden 42 herë më shumë antioksidantë se në një gram mollë.

Vlerat e Famshme Mjekësore nga Rigoni i Kuq

Ju tregojmë se e njëjta sasi përmban 30 herë më shumë antioksidantë se në një gram patate, 12 herë më shumë se në një gram portokalle dhe 4 herë më shumë se boronicat. Të dy varietetet e rigonit, si ai i kuq dhe ai bardhë janë të pasur me hekur, mangan dhe minerale të tjera të rëndësishme për shëndetin e njeriut.

Por varieteti i rigonit të kuq cilësohet shkencërisht si kultivari me përqendrimin më të madh të vlerave, kjo krahasuar me kutivarin e rigonit të bardhë.

Rigonin e bardhë e gjeni kudo në pikat e shitjes në vend, ndërsa rigoni i kuq gjendet në sasi më të kufizuara dhe tregtohet në farmacitë bimore ose në pika e tregtimit të bimëve mjekësore. Çaji i rigonit të kuq ose çaji alpin apo çaji i bjeshkëve ndihmon kundër të ftohtit, virozës, temperaturës, mungesës së tretjes, problemeve në stomak.

Cila pjesë nga Rigoni i Kuq ka më tepër vlera?

Bima për çaj përbëhet nga pjesa mbitokë e rigonit te kuq, i cili është një bimë barishtore shumëvjeçare, karakteristikë e zonave pyjore deri ne zonat malore. Bima e rigonit të kuq ka kërcell me një ngjyrim të kuqërremtë, me lule të vogla me ngjyrë të purpurt.

Vlerat natyrale të Rigonit të Kuq

Bima e rigonit të kuq përmban plot substanta esenciale, antioksidantë dhe tanina etj. Rigoni i kuq funksionon për rregullimin e problemeve me tretjen, nxjerrjen e gëlbazës, trajtimin e rrugëve të frymëmarrjes. Rigoni i kuq gjithashtu është kurë natyrale kundër kollës së bardhë dhe nxit djersitjen dhe largimin e viruseve në rastet me rrufë, ftohje dhe me grip.

Përdorimi i mëposhtëm vlen edhe kundër acarimeve dhe problemeve të lekurës dhe të mukozave. Në këtë rast përdoret vetëm si shpëlarës i zonave të prekura disa herë në ditë.

Përgatitja dhe përdorimi i kurës me Rigon të Kuq

Një sasi prej një luge çaji me rigon të tharë dhe të copëtuar hidhet në një enë ku shtohet një sasi prej 150 ml ujë të valuar. Ena mbulohet me kapak dhe lihet 15 minuta. Më pas, lëngu kullohet dhe ëmbëlsohet me mjaltë pasi të jetë ftohur deri në vakje. Për një periudhë shtatëditore, duhet pirë një sasi prej një filxhan kafeje, 2-3 herë në ditë para ushqimit. Çajin mund ta ripërgatisni në sasinë e duhur çdo ditë që ta përfitoni sa më të freskët në organizëm./AgroWeb.