Shkencëtari anglez zbulon pse fëmijët sëmuren me leukemi

Shëndetësi December 30, 2018 - 13:44
Lajmet e fundit nga bota

Shkencëtari Mel Greaves e ka një qëllim në jetën e tij. Ai po përpiqet që ta krijojë një pije e cila do t’i mbrojë fëmijët nga sëmundja e leukemisë. Kjo ide mund të tingëllojë qesharake që në fillim. Kanceri zakonisht nuk mposhtet kaq thjesht. Sidoqoftë, profesori Greaves ka besim dhe mbështetur në përvojën e tij, idetë e tij po trajtohen seriozisht edhe nga shkencëtarët tjerë që merren me luftën kundër kancerit.

Duke qenë pjesë e Institutit për Kërkime të Kancerit në Londër, Greaves është marrë me studimin e leukemisë te fëmijët për tri dekada më radhë. Këtë të premte, ai u shpërblye për punë e tij në fushën e mjekësisë. “Për tridhjetë vjet kam qenë kurreshtar për arsyet e sëmurjes së fëmijëve me leukemi. Për herë të parë e kemi përgjigjen për këtë pyetje. Kjo nënkupton që mund të fillojmë të mendojmë për mënyrat e parandalimit të kësaj sëmundjeje”, thotë shkencëtari.

Në vitet e pesëdhjeta të shekullit të kaluar, leukemia akute që prek më shumë se dy mijë fëmijë brenda vitit në Britani të Madhe ishte vdekjeprurëse. Sot, 90 për qind e rasteve shërohen, ndonëse trajtimi është helmues dhe mund të sjellë efekte anësore në periudhë të gjatë. Shkencëtarët kanë vërejtur se numri i rasteve me këtë sëmundje po rritet çdo vit për 1 për qind.

Leukemia akute limfoblastike shkaktohet nga një seri procesesh biologjike. Shenja e parë është një mutacion gjenetik që shfaqet në rreth 5 për qind të fëmijëve. “Ky mutacion shkaktohet nga një lloj aksidenti në mitër. Nuk është i trashëguar, por e vë fëmijën në rrezik për t’u sëmurë nga leukemia më vonë gjatë jetës”, thotë Greaves.

Shfaqja e plotë e leukemisë ndodh kur zhvillohet një proces tjetër biologjik dhe ky përfshin sistemin imunitar. “Sistemi imunitar funksionon si duhet vetëm nëse përballet me një infeksion në vitin e parë të jetës”, thotë profesori. Pa këtë përballje, sistemi mbetet i papërgatitur dhe nuk do të funksionojë ashtu si duhet.

Kjo çështje është duke u bërë problem në rritje. Prindërit po i rrisin fëmijët në shtëpi ku materialet antiseptike, sapunët antibakterialë dhe pastrimi dezinfektues i dyshemesë janë gjëra të zakonshme. Për më tepër, fëmijët ushqehen më pak me qumësht gjiri dhe kanë prirje për t’u shoqëruar më pak me fëmijët tjerë. Të dyja këto dukuri e zvogëlojnë kontaktin e fëmijëve me mikrobet. Kjo e ka anën e vet pozitive, por ka edhe efekte anësore. Sistemi imunitar i fëmijëve nuk po përgatitet me kohë sepse ata nuk po ekspozohen ndaj mikrobeve dhe infeksioneve.

“Kur një foshnjë që më herët nuk ka qenë e infektuar ekspozohet ndaj infeksioneve të zakonshme, sistemi i saj imunitar reagon në mënyrë jonormale. Kështu shkaktohet një reagim i tepruar dhe kjo e nxit inflamacionin kronik”, thotë Greaves. Gjatë zhvillimit të inflamacionit, në gjak lirohen citokinet, të cilat mund ta nxisin krijimin e një mutacioni të dytë që shkakton leukemi te fëmijët që e kanë mutacionin e parë.

Me fjalë të tjera, fëmijët që vuajnë nga mutacioni i dytë kronik ka gjasa që kanë rënë në këtë gjendje për shkak të shtëpive super të pastra dhe moderne. Nga ky këndvështrim, sëmundja nuk lidhet aspak me linjat e rrymës apo stacionet e riprocesimit të materialeve bërthamore, ashtu siç është vlerësuar më parë, por shkaktohet nga një grumbull procesesh prenatale dhe mjedisore, theksoi Greaves në revistën “Nature Reviews Cancer” më herët gjatë këtij viti.

Kjo pikëpamje e re për sëmundjen ua jep shkencëtarëve një mundësi për të ndërhyrë dhe për ta ndaluar zhvillimin e leukemisë në rend të parë, thotë shkencëtari. “Ne nuk e dimë ende si ta ndalim paraqitjen e mutacionit të parë para lindjes, por mund të mendojmë për bllokimin e inflamacionit kronik që shfaqet më vonë”, thotë ai.

Për ta arritur këtë, Greaves dhe ekipi i tij kanë filluar të punojnë me bakterie, virusë dhe mikrobe tjera që jetojnë në zorrët e njeriut. Përpos që na ndihmojnë në tretje të ushqimit, ato na tregojnë për llojin e mikrobeve me të cilat jemi përballur gjatë jetës. Për shembull, njerëzit e vendeve të zhvilluara zakonisht kanë më pak lloje të bakterieve në zorrët e tyre. Kjo ndodh për shkak se ata kanë qenë të ekspozuar ndaj një numri më të vogël të llojeve të mikrobeve në fazat e hershme të jetës.

“Ne duhet ta gjejmë mënyrën për ta rindërtuar bikrobiomin e këtyre njerëzve. Ne gjithashtu duhet ta gjejmë se cilat janë llojet më të rëndësishme të mikrobeve për ta përgatitur sistemin imunitar të fëmijëve”, thotë Greaves. Për ta arritur këtë, ai po bën eksperimente me minj që ta zbulojë se cilat mikrobe e nxisin më shumë sistemin imunitar të brejtësve. Qëllimi është që këto eksperimente të bëhen edhe në njerëz pas dy apo tri viteve.

“Synimi ynë është që t’i gjejmë gjashtë deri në dhjetë lloje të mikrobeve që kanë më së shumti aftësi për ta vënë mikrobiomin e fëmijës në nivelin e shëndoshë. Ky koktej me mikrobe do të shërbehej si pije për fëmijët e vegjël”, shton shkencëtari. Sipas tij, kjo pije do të ndikonte edhe në parandalimin e sëmundjeve tjera. Diabeti i tipit 1 dhe alergjitë besohet se janë të lidhura me mungesën e ekspozimit të foshnjave ndaj bakterieve për pjekje të sistemit imunitar. Prandaj, besohet se një përzierje e tillë e mikrobeve do të ndikonte në zvogëlimin e rasteve të njerëzve që përballen me këto probleme.

“Mendoj se perspektiva është shumë tërheqëse. Besoj se do të mund ta përdornim këtë për ta zvogëluar rrezikun e leukemisë dhe një numri të caktuar të sëmundjeve”, thotë Greaves. Qelizat e gjakut prodhohen në palcën e ashtit. Qelizat e kuqe, të cilat bartin oksigjen nëpër trup, qelizat e bardha, të cilat i luftojnë infeksionet, dhe pllakëzat e gjakut, të cilat e ndalojnë gjakderdhjen, krijohen atëherë kur trupi ka nevojë për to. Por, kur njeriu sëmuret me leukemi, lirohen shumë qeliza të bardha, të cilat e pengojnë rritjen e qelizave normale në palcën e ashtit. Si rezultat i kësaj gjendjeje, sasia e qelizave të kuqe, të bardha dhe pllakëzave të gjakut zvogëlohet dhe kështu fillojnë problemet shëndetësore.

Në mesin e shumë llojeve të leukemisë, dy llojet më të shpeshta tek fëmijët dhe të rinjtë janë leukemia akute limfoblastike dhe leukemia akute meloide, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.