Bimët e dhomës fillojnë të thahen sapo ta ndizni ngrohjen

Bimët e dhomës fillojnë të thahen sapo ta ndizni ngrohjen

Lifestyle November 15, 2025 - 15:58

Bimët e dhomës janë të ndjeshme ndaj tharjes gjatë dimrit për shkak të mungesës së dritës natyrale dhe ajrit të thatë. Sistemet e ngrohjes, si radiatorët dhe ngrohja nën dysheme, mund të ndikojnë negativisht te bimët

Gjatë muajve të ftohtë shumë bimë të dhomës fillojnë të shfaqin shenja rënieje, edhe kur u ofrojmë kujdes të rregullt. Ndryshimet e temperaturës, ajri i thatë për shkak të ngrohjes dhe sasia e reduktuar e dritës natyrale shpesh krijojnë stres për bimët që janë mësuar me kushte më të qëndrueshme. Ndërsa neve na pëlqen ngrohtësia e shtëpisë, për bimët periudha e dimrit mund të jetë mjaft sfiduese, sidomos nëse ndodhen afër radiatorëve ose në dritare.

“Duke pasur parasysh që shumë lloje bimësh të brendshme vijnë nga trojet tropikale, shpesh ekziston keqkuptimi se ngrohja shtesë do t’i ndihmojë të përballojnë më lehtë muajt e ftohtë. Mirëpo, nxehtësia e tepërt mund t’i dëmtojë bimët, madje në disa raste mund të jetë edhe fatale,” shpjegon Keira Kay, eksperte për bimët nga kompania Bloom & Wild.

Megjithatë, fajtori kryesor është mungesa e lagështisë. Radiatorët, oxhakët dhe ngrohja nën dysheme thajnë ajrin, por edhe vetë bimët. Gjethet mund të bëhen të thata, majat marrin ngjyrë kafe dhe bimët fillojnë të thahen. Madje edhe afërsia me burimet e nxehtësisë mund të jetë e mjaftueshme për t’i dëmtuar, shkruan Daily Express, përcjell Telegrafi.

“Te ata që kanë ngrohje nën dysheme, nxehtësia e vazhdueshme mund të çojë në mbinxehje të rrënjëve dhe stres, ndërsa ftohja e menjëhershme pas fikjes së ngrohjes mund t’i dëmtojë bimët”, shpjegon Kay.

Ndër bimët më të prekshme janë ato që e duan lagështinë, siç janë fieroret, kalateat dhe zambakë. Llojet më rezistente, si gjuha e vjehrrës dhe zamiokulkasi, janë disi më tolerante.

“Një tregues i mirë është trashësia e gjetheve, sa më i hollë dhe i butë të jetë gjethi, aq më i madh rreziku për t’u tharë,” paralajmëron ajo.

Për të parandaluar tharjen e bimëve të dhomës, largojini ato nga radiatorët, oxhakët ose ngrohja nën dysheme. Vendosini mbi rafte, tavolina anësore ose në vazo të varura, për t’i mbrojtur nga rrymat e drejtpërdrejta të nxehtësisë.

“Grupimi i bimëve ndihmon që ato të ndajnë lagështinë mes njëra-tjetrës dhe të krijojnë një mikroklimë natyrore. Vendosni një enë të vogël me ujë afër bimëve për të rritur paksa lagështinë në ajër. Spërkatja e rregullt ose një lagështues i vogël mund të jetë po ashtu shumë i dobishëm”, këshillon Kay.

Nëse vini re maja kafe të gjetheve ose rënie të tyre, mos u shqetësoni, kjo mund të jetë e kthyeshme dhe bima mund të rikuperohet. Prisni pjesët e dëmtuara dhe vendoseni bimën në një vend më të qëndrueshëm, më të lagësht dhe larg burimeve të nxehtësisë. Spërkatja e përditshme për një ose dy javë mund të ndihmojë që bima të gjallërohet sërish.