Pesë gjërat për të cilat duhet të diskutoni në takimin e parë
Harrojini temat e lehta të bisedave në takimet e para. Studiuesit zbulojnë se për çfarë u pëlqen të flasin meshkujve dhe femrave me një partner të mundshëm.
Bisedat në takimin e parë me një person të cilin po e njihni dhe po e studioni nga aspekti romantik, mund të jenë të sikletshme. Dilema se për çfarë do të flisni, mund t’ju mundojë gjatë, por përgjigjen ua jep shkenca.
Flisni për udhëtime, jo për filma
Në një studim nga Richard Wiseman, më pak se 9 për qind e çifteve që folën për filmat në takimin e tyre të parë dëshironin të organizonin një të dytë, ndërsa 18 për qind e çifteve që folën për udhëtime ishin të gatshëm të takoheshin sërish.
Bisedat rreth vendeve të panjohura dhe ekzotike për tjetrin ju bëjnë të ngjani jo vetëm aventurierë, por edhe të gatshëm për të gjetur kohë për qetësi dhe paqe.
Kur flisnin për udhëtim, njerëzit prireshin të diskutonin për pushimet dhe destinacionet e ëndrrave, kjo natyrisht që ju bën tërheqës në sytë e të tjerëve.
Mënyra se si flisni ndikon
Problemi nuk vërtitet vetëm rreth atyre që do të bisedoni, por edhe rreth mënyrës sesi flisni. Në takimin e parë, përpiquni të shmangni ekstremet. Mos e mbizotëroni bisedën, por as mos qëndroni jo aktivë.
Duhet të jetë një bisedë që rrjedh qetësisht dhe natyrshëm. Pranoni një pyetje, ktheni një përgjigje dhe bëni një pyetje. Shfaqja e përbashkët e interesit si për të mësuar më shumë për tjetrin por edhe për të treguar më tepër për veten, është një shenjë e mirë për një takim të parë.
Tregoni sekrete
Shkëmbimi i informacionit personal dhe emocional gjatë takimit të parë nxit ndjenja të fuqishme lidhjeje. Arthur Aron, një psikolog nga Universiteti Shtetëror i Nju Jorkut në Stony Brook, është interesuar për mënyrën se si njerëzit formojnë lidhje romantike dhe ka dalë në përfundimin sesi burrat dhe gratë që nuk janë takuar më parë mund të ndihen mirë me njëri-tjetrin.
Duke qenë se takimet e para nuk zgjasin shumë, çifti që mund të formohet ose jo, ka vetëm një orë kohë për të krijuar nivele të intimitetit që kërkojnë zakonisht javë, muaj ose vite për t’u formuar.
Në lidhjet e dashurisë, procesi i njohjes fillestare i përshpejton shumë gjërat. Por a funksionon vërtet ndarja e sekreteve? U provua se në më pak se një orë, kjo metodë krijon një lidhje më të fortë sesa një miqësi e gjatë.
Në fakt, dialogu intensiv mes partnerëve jepte shumë fryte për afërsinë e krijuar mes tyre, krahasuar edhe me marrëdhënie më të ngushta krijuar më parë. Kështu, mund të krijojmë lidhje edhe më të ngushta sesa ato aktuale në vetëm pak ditë.
Mos lini hapësirë heshtjeje
Nëse çdo gjë tjetër dështon, flisni rreth gjithçkaje, mjafton të mos lini hapësirë boshe që do të krijojë hendek mes jush. Ndonjëherë do t’ju duhet të zgjidhni edhe tema kontraversale, si për shembull aborti.
Në një eksperiment, studiuesit e kufizuan morinë e temave që pjesëmarrësit mund të flisnin dhe u dhanë atyre një listë pyetjesh që mund të bënin.
Pyetjet nuk ishin të përgjithshme si për shembull moti apo familja, në fakt pyetjet ishin shumë personale dhe lidheshin me marrëdhëniet e mëparshme të dashurisë.
Në fund ata zbuluan se si personi që bëri pyetjet, edhe ai që u përgjigj ishin të lumtur me bisedën e krijuar. Nga studimi u zbulua se kur njerëzit ishin të lirë të zgjidhnin vetë temën e bisedës ata zgjidhnin gjëra të lehta, nga të cilat askush nuk përfiton.
Po kërkoni fatin?
Faqja e flirtimeve OkCupid zbuloi se vetëm me një pyetje mund të përcaktohej nëse burrat ose gratë dëshironin të kryenin marrëdhënie në takimin e parë.
“A ju pëlqen shija e birrës” – kjo është e vetmja pyetje në morinë e tyre që do t’ju zbulojë nëse ai ose ajo ka dëshirë të bëjë seks në takimin e parë. Pavarësisht gjinisë ose orientimit, ata që e duan birrën janë 60 për qind më të gatshëm të flenë me dikë që sapo e takuan. /Telegrafi