Këto elemente do mbajnë ngrohtë shtëpinë tuaj gjatë dimrit

Këto elemente do mbajnë ngrohtë shtëpinë tuaj gjatë dimrit

Lifestyle February 18, 2020 - 16:11

Fillimisht duhet të kemi dëshirën për të pranuar një shtëpi të ngrohtë. E themi këtë sepse shumë prej nesh shkarkohen nga energjitë negative, tensionet dhe stresi, por edhe përgjumen nën efektin e ambienteve të ngrohta. Gjithkush duhet t`i ofrojë vetes rehati, me stilin që e bën të ndjehet mirë.

Materialet

Përdorni materiale të gjalla nga natyra: parketi edhe i vetëm arrin ta ngrohë ambientin tuaj, aq i fuqishëm është si vizualisht, ashtu edhe psikologjikisht. Druri,
qoftë ai i errët apo i çelët, e ngroh me shumë lehtësi shtëpinë. Ka raste kur një dysheme e shtruar me rrasa të vërteta guri, e jep njëlloj ndjesinë. Forma e çrregullt e rrasave të gurit e bën shumë të fortë efektin e natyrës në shtëpi. Veshjet me gur, argjilë, tullë argjile (të kuqe) të pasuvatuar, argjilë të pjekur, etj., japin efekt shumë të ngrohtë. Oxhaku i veshur me gurë, mozaikët. Dekorimi i mureve me materiale të buta, dru, tekstil, papiruse apo edhe me lule zvarritëse, e ngroh ambientin dukshëm. Dritaret me dru të vërtetë i japin tjetër jetë shtëpisë.


Ngjyrat

Ngjyrat vijnë pas ndriçimit. Për syrin e njeriut, ngjyrat më të ngrohta janë ato që i kujtojnë natyrën, ngjyrat e pyllit: e kafta – ngjyra e tokës, e gjelbërta – ngjyra e jetës, portokallia – ngjyra e vjeshtës, okra – ngjyra e grurit. Ndërthurni herë pas here turkezen, të verdhën, të bardhën, madje edhe blunë, për të evituar sheqerosjen.


Ndriçimi

Pa dyshim, fillohet me ndriçimin, i cili duhet të jetë sa më i ngrohtë. Mos u lodhni me shifra, zgjidhni llamba me ngjyrë të ëmbël për syrin. Si p.sh., dritën e prushit, për të përzgjedhur temperaturën e dritës së ngrohtë e të ëmbël që ju nevojitet. Evitoni dritat blu dhe bëni kujdes madje edhe me të bardhat. Abazhurët me stativ, të vendosur mbi komodinë, tavolinë, bibliotekë, kënd edhe tualet madje, e ngrohin pa masë shtëpinë. Zgjidhini abazhurët me veshje bio: tekstil, letër, kashtë, biofibra


Orenditë

Piketoni orendi me material natyrale, dru, lëkurë, tekstile, kashtë, sepse ato sjellin jetë me vete. Evitoni syprinat e xhamit dhe zëvendësojini ato me mermer. Evitoni finiturat e llakuara që ju krijojnë ndjesi hi-tech. Qëndroni sa më pranë artizanales dhe natyrës. Përdorni tapete, sixhade, qilima, të cilët ju mbajnë ngrohtë edhe këmbët. Përdorni materiale që ju mbajnë ngrohtë gjatë ndejtjes në kolltuk: gëzofët, leshin, materialet e buta prej fibre, tekstilet. Përdorniperde të bollshme e të derdhura.
Ftojeni natyrën e gjallë brenda: uji dhe zjarri janë elemente të gjalla që e shoqërojnë njeriun që nga gjeneza, janë elemente që na qetësojnë instiktivisht. Një orë tavoline që gurgullon tinguj uji të rrjedhshëm, një oxhak me prush të vërtetë, i japin tjetër dimension ngrohtësisë së ambientit. Pozicionojeni oxhakun aty ku mund ta shfrytëzoni më shpesh e mos harroni se aroma e tymit të drurit e ngroh shtëpinë dhe nga jashtë. Muzikë me tinguj ambienti, aromatikë bimorë, një zog këngëtar në dritare, etj.


Kultivoni historikë në dekorin e shtëpisë, mos e ndryshoni çdo dy vjet atë.

Orenditë krijojnë historik, kujtime, emocione, identitet, ndjesi të ngrohtë e mikpritëse. Trashëgojini mobiljet që bartin histori dhe kujtime: nëse keni ndonjë mobilje nga shtëpia e vjetër, ajo e prindërve, si p.sh. një sënduk apo makinë qepëse të vjetër, herë pas here
do t`ju dhurojnë kënaqësi, identitet.


Zgjidhini me dashuri të gjitha orenditë e shtëpisë suaj, nëse dëshironi ngrohtësi e dashuri prej saj.

Mbani një mace leshatore e gjumashe, por vetëm pasi të jeni këshilluar me mjekun e familjes. Macet janë qenie që dinë ta shijojnë dhe krijojnë ngrohtësinë, ndoshta më mirë se ne; shpesh janë shembull ngrohtësie. Mundohuni t`i mbushni të gjitha shqisat tuaja me ndjesi të ngrohta. Pavarësisht se flasim për dizajn vizual, mos mendoni se ambienti i shtëpisë u përket vetëm syve.
Përdorni vepra arti, mundësisht artizanale: vazo qeramike, skulptura druri, guri, bronzi edhe porcelani, pse jo! Suvenire, objekte tradicionale p.sh., mulli kafeje, qeleshe, enë bronzi, orë me mobilje dhe lavjerës, orë tavoline… ngacmoni me dizenjon e tyre. Ekspozoni piktura me gamë të ngrohtë ngjyrash e korniza druri të plota. Evitoni të llakuarat dhe smaltet artificiale. Mund të tentoni edhe korniza të bardha. Një vegël muzikore diku në një kënd të shtëpisë ose një bibliotekë i jep më shumë vlerë dekorit.