A është prerja cezariane vendim i drejtë?

A është prerja cezariane vendim i drejtë?

Lifestyle March 16, 2019 - 12:54
Lexoni detajet

Prerjes cezariane duhet t’i nënshtroheni vetëm atëherë kur për të ekzistojnë indikacione, dhe jo për atë se me prerje cezariane ka lindur ndonjë aktore ose fqinja juaj e përkëdhelur.

Mjekët e sotëm e rekomandojnë prerjen cezariane për shkak se femrat kanë frikë nga dhimbja gjatë lindjes normale. Por, prerja cezariane mund të ketë më shumë pasoja dhe komplikime të padëshirueshme.

Vendimin për mënyrën e lindjes duhet ta merrni pasi të shqyrtoni të gjitha faktet dhe rreziqet nën drejtimin e mjekut tuaj, i cili pas shqyrtimit të parametrave të indikacionit duhet të vendosë për metodën me anë të të cilës do të sillni në botë foshnjën tuaj.

Mangësitë e prerjes cezariane:

1. Rikuperimi zgjat më shumë. Frika nga dhimbjet shpesh i orienton femrat kah prerja cezariane, për të cilën konsiderojnë se është proces më i shpejtë dhe do t’i mbajë vetëm një apo dy ditë në spital. Mirëpo, për shkak të përdorimit të anestezionit dhe barnave të tjerë, si edhe ndërhyrjes kirurgjike, rikuperimi është më i gjatë në krahasim me lindjen normale.

2. Rreziku i shtuar për infeksione, gjakderdhje dhe trombozë. Për dallim nga lindja natyrore, prerja cezariane shton gjasat për infeksione. Në disa raste mund të shfaqet infeksion i rëndë, i cili kërkon ndërhyrje të tjera kirurgjike dhe doza të mëdha të antibiotikëve.

3. Në shumë raste, femrat pas lindjes me prerje cezariane ankohen se kanë fituar shumë në peshë, sidomos nën pjesën ku është bërë prerja. Po ashtu, shumë femra ankohen për humbje të ndjesisë në dhe rreth vendit ku është kryer prerja.

4. Në krahasim me foshnjat e lindura me rrugë normale, foshnjat e lindura me ndërhyrje kirurgjike, për shkak të barnave të shfrytëzuar gjatë kohës së operacionit, nuk janë plotësisht perceptuese menjëherë pas lindjes. Po ashtu, gjidhënia e fëmijëve që lindin me operacion kërkon mundim më të madh në krahasim me atë të foshnjave që lindin me rrugë normale.

Si të shmangen efektet negative të prerjes cezariane: 

Për të shmangur dhimbjet dhe traumat pas lindjes, duhet që të bëni disa ndryshime në rutinën tuaj ditore.

1. Disa muaj pas lindjes, filloni të ecni rregullisht. Kjo do t’u ndihmojë që të ruani fleksibilitetin e trupit dhe do t’u ndihmojë të largoni plogështinë pas operacionit.

2. Mund të filloni me një regjim të rregullt ushtrimesh, ashtu që trupi juaj të mbetet aktiv dhe fleksibil.

3. Domosdo merrni të gjitha barnat për aq kohë sa ju ka rekomanduar mjeku, ashtu që të pengoni shfaqjen e infeksioneve dhe komplikimeve tjera të paslindjes.

4. Shkoni në kontrolle të rregullta që të shmangni çfarëdolloj komplikimi pas lindjes. /Telegrafi