Shkencëtarët i japin fund misterit 60-vjeçar: Pse macet portokalli janë kryesisht meshkuj?

Shkencëtarët i japin fund misterit 60-vjeçar: Pse macet portokalli janë kryesisht meshkuj?

Kuriozitete August 01, 2026 - 08:32

Ngjyra portokalli e qimes te macet lidhet me një gjen që ndodhet në kromozomin X, prandaj kjo ngjyrë shfaqet shumë më shpesh te meshkujt sesa te femrat, sipas “Science Direct”.

Maçokët kanë vetëm një kromozom X dhe një Y (XY).

Nëse kromozomi i tyre X mbart variantin gjenetik përgjegjës për ngjyrën portokalli, ato do të kenë qime portokalli.

Ndërsa macet kanë dy kromozome X (XX).

Që një mace të jetë plotësisht portokalli, duhet ta trashëgojë këtë variant nga të dy prindërit, gjë që ndodh më rrallë.

Për këtë arsye, shumica e maceve me këtë gjen kanë përzierje ngjyrash, si portokalli, e zezë dhe e bardhë, duke u njohur si mace kaliko ose breshkë.

Këtë mekanizëm e konfirmoi një studim i publikuar në revistën shkencore “Current Biology”, i kryer nga dy ekipe të pavarura studiuesish; njëri i udhëhequr nga Prof. Hiroyuki Sasaki në Universitetin Kyushu në Japoni dhe tjetri nga gjenetisti Christopher Kaelin, në bashkëpunim me Universitetin Stanford në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të dy ekipet arritën në të njëjtin përfundim, duke identifikuar ndryshimin gjenetik, që i jep maceve ngjyrën portokalli.

Në studimin japonez, shkencëtarët analizuan fillimisht ADN-në e 18 maceve – 10 me ngjyrë portokalli dhe tetë me ngjyra të tjera.

Më pas, rezultatet u verifikuan te 49 mace të tjera nga baza ndërkombëtare të të dhënave gjenetike.

Ata zbuluan se të gjitha macet portokalli kishin të njëjtin ndryshim në gjenin ARHGAP36, ndërsa macet me ngjyra të tjera nuk e kishin këtë ndryshim.

Studiuesit zbuluan se ky ndryshim përbëhet nga një mungesë e vogël e një segmenti të ADN-së në gjenin ARHGAP36, i cili ndodhet në kromozomin X.

Ky ndryshim bën që qelizat përgjegjëse për pigmentin, të prodhojnë më shumë feomelaninë, pigmenti që u jep qimeve ngjyrën portokalli ose të verdhë, në vend të eumelaninës, e cila prodhon ngjyrën e zezë ose kafe.

Sipas studiuesve, kjo shpjegon edhe pse rreth 80% e maceve portokalli janë meshkuj.

Meshkujt kanë vetëm një kromozom X, ndaj mjafton një kopje e këtij varianti gjenetik, që të shfaqet ngjyra portokalli.

Femrat, për shkak se kanë dy kromozome X, duhet ta trashëgojnë variantin në të dy kromozomet për të qenë plotësisht portokalli; në të kundërt, ato zhvillojnë modelin karakteristik me njolla portokalli dhe të zeza.

Ky zbulim i dha fund një misteri gjenetik, që kishte mbetur i pazgjidhur për më shumë se 60 vjet dhe konsiderohet një nga përparimet më të rëndësishme në gjenetikën e maceve, duke ndihmuar shkencëtarët të kuptojnë më mirë jo vetëm ngjyrën e qimeve, por edhe mekanizmat e trashëgimisë gjenetike te gjitarët. /atsh