Vendim i pazakontë në Zvicër, dalja për në tualet mund të mos llogariten si orë pune

Vendim i pazakontë në Zvicër, dalja për në tualet mund të mos llogariten si orë pune

Kuriozitete June 19, 2026 - 13:44

Një gjykatë në Zvicër ka vendosur se kompanitë mund t’u kërkojnë punonjësve të çregjistrohen nga orari i punës gjatë pushimeve për në tualet, për sa kohë masa është e arsyetuar dhe nuk është diskriminuese.

Një gjykatë rajonale në Zvicër ka vendosur se është e ligjshme që punonjësit të çregjistrohen nga orari i punës kur shkojnë në tualet, nëse kjo masë është e justifikuar objektivisht dhe nuk krijon diskriminim.

Rasti lidhet me kompaninë Jean Singer et Cie në kantonin e Neuchâtelit, prodhuese e fushave të orëve, e cila në vitin 2021 vendosi që të gjithë punonjësit të regjistronin daljen nga puna gjatë pushimeve për në tualet.

Vendimi shkaktoi kundërshtime të forta, veçanërisht nga sindikata Unia, e cila përfaqëson punonjësit dhe e konsideroi masën të padrejtë.

Pas përfundimit të procesit gjyqësor, gjykata vendosi se rregulli nuk bie ndesh me ligjin, me kusht që kompania të ketë arsye objektive për zbatimin e tij dhe të marrë masa për të shmangur efektet diskriminuese.

Gjykata theksoi se duhet të merret parasysh fakti që gratë, në përgjithësi, kanë nevojë për më shumë kohë gjatë pushimeve për në tualet sesa burrat. /Albinfo.ch