NASA shkurton misionin në Stacionin Hapësinor, pas një problemi shëndetësor të astronautit
NASA ka marrë një vendim të rrallë duke shkurtuar një mision në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS), pasi një nga astronautët e ekuipazhit pësoi një problem shëndetësor. Agjencia hapësinore njoftoi se ekuipazhi i përbërë nga katër astronautë nga Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Rusia do të kthehet në Tokë disa ditë më herët se sa ishte planifikuar.
Për shkak të çështjes mjekësore, NASA anuloi edhe ecjen e parë hapësinore të planifikuar për këtë vit. Agjencia nuk bëri të ditur identitetin e astronautit dhe as natyrën e problemit shëndetësor, duke përmendur privatësinë e pacientit. Sipas zyrtarëve, astronauti ndodhet në gjendje të qëndrueshme, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Shefi mjekesor në NASA, Dr. James Polk, theksoi se nuk bëhej fjalë për një emergjencë në bord, por se agjencia po vepronte “me kujdes maksimal” për sigurinë e anëtarit të ekuipazhit.
Ai shtoi se kjo është hera e parë që NASA kryen një evakuim mjekësor nga stacioni hapësinor, edhe pse astronautët janë trajtuar më parë në orbitë për probleme të vogla shëndetësore.
Ekuipazhi mbërriti në ISS në muajin gusht për një mision prej të paktën gjashtë muajsh dhe përfshin astronautët e NASA-s Zena Cardman dhe Mike Fincke, astronautin japonez Kimiya Yui dhe kozmonautin rus Oleg Platonov.
Dy astronautët amerikanë ishin planifikuar të kryenin një ecje hapësinore për përgatitjen e instalimit të paneleve të reja diellore.
Ndërkohë, tre astronautë të tjerë vazhdojnë punën në stacion. NASA ka planifikuar që ISS të dalë nga orbita në fund të vitit 2030 ose fillim të 2031, me një rihyrje të kontrolluar mbi oqean. /Gazeta Shneta