
Zbulohet dinozauri i çuditshëm me “armaturë”
U zbulua një nga dinozaurët më të çuditshëm me “armaturë”, përfshirë thumba deri në një metër të gjatë që dilnin nga qafa e tij.
”Spicomellus, ankylozauri më i vjetër në botë, endej në Tokë 165 milion vjet më parë dhe kishte thumba kockore të shkrirë në të gjitha brinjët e tij – një tipar që nuk është parë kurrë më parë në asnjë specie tjetër vertebrore që jeton ose është zhdukur”, sipas shkencëtarëve.
Ankylozaurët ishin një grup dinozaurësh barngrënës të njohur për trupat e tyre ”të blinduar”, si tank dhe një majë bishti në formë shkopi.
Mbetjet e gjetura nga një ekip paleontologësh kanë ndihmuar në ndërtimin e përshkrimit origjinal të kafshës, i cili bazohej vetëm në një kockë brinje të gjetur pranë qytetit të Boulemane në Marok.
”Fosilet zbuluan gjithashtu se dinozauri kishte thumba me gjatësi 87 centimetra, të cilat mund të kenë qenë edhe më të gjata gjatë jetës së tij, të cilat dilnin nga një jakë kockore rreth qafës së tij”, sipas hulumtimit të botuar në revistën shkencore ”Nature”.
Profesori Richard Butler, nga Universiteti i Birminghamit dhe bashkëdrejtues i projektit, i përshkroi fosilet si një “zbulim jashtëzakonisht të rëndësishëm”.
Ai shtoi se “spicomellus është një nga dinozaurët më të çuditshëm që kemi zbuluar ndonjëherë. Është krejtësisht ndryshe nga çdo tjetër i gjetur kudo tjetër në botë”, tha ai.
“Mendoj se do të kapë vërtet imagjinatën e njerëzve në mbarë botën dhe do të na tregojë shumë për evolucionin e hershëm të ankylozaurëve të ngjashëm me tankun”, shtoi Butler.