I lodhur nga ankesat e gruas, boshnjaku ndërton shtëpinë rrotulluese
Foto: Reuters

I lodhur nga ankesat e gruas, boshnjaku ndërton shtëpinë rrotulluese

Kuriozitete October 11, 2021 - 14:41

Nuk është saktësisht në të njëjtin nivel me Taj Mahalin e Indisë, por një shtëpi familjare në një qytet të vogël në Bosnjë është në mënyrën e saj një monument i dashurisë.

Shtëpia në Sërbac të BeH-së është projektuar dhe ndërtuar nga 72-vjeçari Vojin Kusiq. Me një fasadë të gjelbër dhe çati të kuqe metalike, ajo mund të bëjë një rreth të plotë për të kënaqur dëshirat e shumëllojshme të gruas së tij Lubica – ajo dëshiron të shohë shumëçka kur shikon nga dritaret e saj, transmeton Zeri.info.

“Pasi arrita një moshë të shtyrë dhe pasi fëmijët e mi morën përsipër biznesin familjar, më në fund kisha kohë të mjaftueshme për t’i dhënë detyrë vetes që t’ia realizoja gruas sime dëshirën e saj” që të mundë të ndryshojë pozicionin e dhomave në shtëpinë e saj kur të dojë, tha Kusiqi, raporton AP.

Shumë vjet më parë, kur u martuan, Kusiqi kishte ndërtuar një shtëpi tjetër, të mjaftueshme për veten dhe gruan e tij, në të cilën ata rritën tre fëmijët e tyre. Në atë kohë, gruaja e tij donte që dhomat e tyre të gjumit të kishin pamje nga dielli dhe kështu bënë. Por kjo do të thoshte se dhoma e tyre e ndejës të kishte përballë rrugën. Pas një kohe, ai thotë se gruaja e tij u ankua se “nuk mund të shihte njerëzit që hynin në oborrin tonë të përparmë” dhe kështu Kusiqi u desh të rimodelonte gjithçka.

“M’u desh të shembja murin midis dy dhomave tona të gjumit për t’i kthyer ato në një dhomë të ndejës dhe t’i lëvizja të gjitha instalimet (elektrike). Ishte një detyrë shumë e rëndë, më mori shumë kohë, por e bëra atë që ajo donte”, tha ai.

Pastaj gjashtë vjet më parë i vetmi nga tre fëmijët e Kusiqit që nuk “fluturoi nga foleja”, djali i tyre, u martua dhe prindërit e tij vendosën ta linin atë të jetonte në katin e sipërm të shtëpisë së tyre, ndërsa ata lëvizën në katin përdhes.

“Edhe një herë, këtë herë në katin përdhes, m’u desh të filloja të rrëzoja disa mure dhe derisa po e bëja këtë, për të mos pritur që ajo të ndryshonte mendje përsëri, vendosa të ndërtoja një shtëpi të re, rrotulluese, në mënyrë që ajo të mund ta rrotullojë atë sipas dëshirës së saj”, tha Kusiqi.

“Shtëpia mund të bëjë një rrotullim të plotë për 24 orë në shpejtësinë më të ulët, ndërsa me shpejtësinë më të madhe mund ta bëjë një rrotullim të plotë për 22 sekonda”, u shpreh Kusiqi për “Reuters”-in.

Kusiqi, që nuk kishte kurrfarë mundësie të shkonte në kolegj, projektoi dhe ndërtoi shtëpinë e tij rrotulluese vetë, duke përdorur motorë elektrikë dhe rrotat e një automjeti të vjetër transporti ushtarak.

“Tani edhe dera jonë e përparme rrotullohet, kështu që nëse ajo vëren mysafirë të padëshiruar që po vijnë drejt nesh, mund ta rrotullojë shtëpinë dhe t’i bëjë ata të largohen”, bëri shaka ai.

Në gjuhën boshnjake emri i gruas së tij do të thotë “e dashur”. Ajo nuk pranoi të intervistohej. /Zëri