Urinimi publik në festivalin “Glastonbury” mbush lumenjtë me drogë
Foto: PA

Urinimi publik në festivalin “Glastonbury” mbush lumenjtë me drogë

Kuriozitete September 28, 2021 - 13:35

Nivelet e rrezikshme të drogave të paligjshme të gjetura, që kalojnë nëpër lumenj pas festivalit “Glastonbury”, kërcënojnë ngjalat lokale, ka gjetur një studim i ri.

Droga u lëshua në kanalet ujore nga urinimi publik, ndërsa nivelet e katërfishuara të drogës së llojit ekstazë në javën pas festivalit 2019 dhe përqendrimet e kokainës u rritën në nivele, që dihet se ndikojnë në ciklin jetësor të ngjalave evropiane, një specie e mbrojtur, erdhi në përfundim studimi, raporton “The Telegraph”.

Hulumtuesit në universitetin “Bangor” thanë se ishte e rëndësishme që pjesëmarrësit në festival të përdornin tualetet zyrtare, veçanërisht pasi festivali “Glastonbury” ishte vendosur pranë lumit Whitelake, transmeton Zeri.info.

“Ndotja me drogat ilegale nga urinimi publik ndodh në çdo festival muzikor”, tha Dan Aberg, student në Shkollën e Shkencave të Natyrës. “Niveli i lirimit është i panjohur, por festivalet pa dyshim që janë një burim vjetor i lirimit të drogës së paligjshme”.

“Fatkeqësisht, afërsia e festivalit ‘Glastonbury’ me një lumë rezulton në faktin se drogat e liruara nga pjesëmarrësit e festivalit nuk kanë shumë kohë për t’u degraduar në tokë para se të hyjnë në ekosistemin e brishtë të ujërave të ëmbla”.

Nivelet e kokainës të gjetura në lumë potencialisht mund të vonojnë pjekurinë seksuale të popullsisë së ngjalave evropiane si pasojë e festivalit, tha studimi.

Studiuesit propozuan që shtretërit e ndërtuar të kallamit mund të përdoren për trajtimin e ujërave të zeza para se të hyjnë në rrjedhën e lumit në “Glastonbury” dhe në festivale tjera. Ata gjithashtu thanë se edukimi i njerëzve për rreziqet e urinimit publik në vendet e festivalit ishte jetik.

Dr Christian Dunn, i cili drejtoi ekipin kërkimor, tha: “Edukimi është thelbësor për çështjet mjedisore – ashtu si njerëzit janë ndërgjegjësuar për problemet e ndotjes plastike dhe ‘Glastonbury’ ka bërë përpjekje të mëdha për t’u bërë pa plastikë, ne gjithashtu duhet të rrisim ndërgjegjësimin rreth mbeturinave të drogave dhe farmaceutikës. Ata janë të ndotës të fshehur, por potencialisht shkatërrues”.

Studimet e mëparshme kanë gjetur një sërë barnash e drogash që hyjnë në rrugët ujore, duke përfshirë nivele të rrezikshme të larta të ndotjes me antibiotikë, që mund të krijojnë rezistencë ndaj baktereve. Kokaina gjithashtu është konstatuar të jetë kërcënim për embrionet e peshqve zebra dhe midhjeve, veç të tjerash.

Pilula kontraceptive u zbulua se po shkaktonte që peshqit meshkuj të shfaqnin karakteristika femërore siç ishte prodhimi i vezëve në vitet 1990, megjithëse shkencëtarët thonë se përmirësimi i trajtimit të ujërave të zeza tani e ka zgjidhur në masë të madhe problemin. /Zëri