Infektuar: 15574
Shëruar: 13492
Vdekur: 625
Letra që detajon vizitat në bordele të Van Goghut e Gauguinit shitet për 237 mijë dollarë në ankand

Letra që detajon vizitat në bordele të Van Goghut e Gauguinit shitet për 237 mijë dollarë në ankand

Kuriozitete June 17, 2020 - 13:22

Letra e vetme e ditur që është shkruar bashkërisht nga Vincent van Gogh dhe Paul Gauguin, në të cilën detajohen vizitat e tyre në bordelet franceze, u shit për më shumë se 210,000 euro (237,000 dollarë) në një ankand në Paris të martën, shkruan CNN.

Letra drejtuar piktorit Emile Bernard, një tjetër figurë kryesore në lëvizjen Post-Impresioniste, u shkrua me dorë nga të dy artistët në katër faqe. Ajo u shkrua në nëntor të vitit 1888, menjëherë pasi Van Goghu prodhoi disa nga veprat e tij më të njohura, duke përfshirë “Dhoma gjumi në Arles”, “Karriget e Van Goghut” dhe një pjesë të mirë të serisë së tij të famshme “Luledielli”, transmeton Zeri.info.

Letra u shkrua në qytetin francez të Arles, ku piktori holandez kishte qëndruar nga shkurti i po atij viti. Në kohën sa po e shkruante letrën, atij i ishte bashkuar edhe Gauguini, të cilin e kishte takuar për herë të parë në Paris dy vjet më parë.

Image

Mesazhi i tyre fillon me përshtypjet e Van Goghut për Gauguinin, ku ai e përshkruan mikun e tij si një “krijesë e paprishur me instinktet e një bishe të egër”.

“Me Gauguinin, gjaku dhe seksi kanë avantazhin e ambicies”, shkroi ai, përpara se të rrëfente disa nga udhëtimet e fundit të çiftit.

“Ne kemi bërë disa ekskursione në bordele të ndryshme, dhe ka të ngjarë që përfundimisht të shkojmë atje shpesh edhe për të punuar”, vazhdon letra. “Për momentin, Gauguini është duke punuar në pikturën e të njëjtës kafene, të cilën e pikturova edhe unë, por me figura të cilat shihen në bordele. Vepër që premton të shndërrohet në një gjë të bukur”.

Image

Image

Van Gogh diskuton gjithashtu qëllimin e tij për të krijuar një shoqatë të re të artistëve, si dhe referimin e studimeve piktoreske që ai po shkëmbente me pranuesin, Bernard. Gauguin pastaj vazhdon me një mesazh më të shkurtër në faqen e tretë dhe të katërt. “Mos e dëgjo Vincentin”, shkroi ai, “siç e dini, ai është i prirë të admirohet dhe di të jetë i kënaqur”.

Njeriu i letrave

Van Gogh ishte i njohur që vizitonte rregullisht bordelet gjatë gjithë jetës së tij, e madje artisti ia kishte dorëzuar veshin e tij të prerë njërës prej bordeleve, një episod që i dha fund edhe miqësisë së tij me Gauguinin.

Ai pikturoi skena nga brenda bordeleve, bëri portrete të prostitutave të ndryshme, përfshirë Sien Hoornik, një rrobaqepëse me të cilën pati një lidhje në fillim të viteve 1880.

Image

Janë mbi 900 letra të shkruara nga, ose për Van Goghun, të cilat i kanë mbijetuar kohës, megjithëse shumica janë midis artistit dhe vëllait të tij Theo. Historianët e artit e kanë përdorur këtë korrespodencë për të kuptuar më mirë jetën e trazuar të piktorit, pasi ai shpesh përdorte letrën për të diskutuar çështje personale, nga problemet financiare e deri te ndikimet letrare.

Në një katalog, shtëpia franceze e ankandeve “Drouot Estimations” shkroi se, megjithë “brishtësinë” e letrës, jashtëzakonisht interesant është takimi i dy piktorëve, por edhe kthjelltësia dhe siguria e tyre se pikturimi i tyre do të revolucionarizojë artin për brezat e së ardhmes”.

Të martën u shitën edhe letërkëmbime të tjera të shkruara nga Gauguini, duke përfshirë letrat për gruan e tij dhe për një dashnore të panjohur.

Aty ishte edhe një prej fletoreve të ilustruara të piktorit Marc Chagall, e cila tejkaloi parashikimet duke u shitur për më shumë se 191,000 euro (216,000 dollarë), sikurse që u shitën edhe skica e letra nga Modigliani, Renoir, Cezanne dhe Picasso.