Këta janë kosovarët e parë që shkuan të punojnë në ndërtim në Zvicër
Janë afër 115 mijë shqiptarë nga Kosova në Zvicër, që shumica prej tyre punojnë, dhe jo vetëm. Një numër i madh shqiptarësh sot atje kanë kompani të mëdha e janë figura publike.
Një masë e madhe e futbollit zviceran mbahet me shqiptarët e Kosovës, por edhe qytete të ndryshme kanë politikanë shqiptarë. Mirëpo, gjithçka ka filluar herët në kohë.
Një video e publikuar nga “FM Images Albania”, e marrë nga televizioni shtetëror zviceran, SRF, tregon për shqiptarët e parë që kanë shkuar të punojnë në Zvicër nga Jugosllavia në vitin 1973.
Personazhi që merret në këtë reportazh është Isak Bytyçi, që në dokumente shkruan se është nga Nishori i Suharekës. Ai tregon se është i martuar dhe ka fëmijë, teksa vendlindjen e ka diku 3000 kilometra larg. Letrat mes këtyre kilometrave shkojnë e vijnë 1-2 herë në muaj, për çka ai edhe komunikon kaq me familjen.
“Dy fëmijët e mi shkojnë në shkollë. Fëmija më i madh e ka lënë shkollën, kurse tjerët po vazhdojnë”, thotë përafërsisht Bytyçi. Ai për fshatin Nishor tregon se ka 60 shtëpi, atëbotë, s’ka kishë e xhami, por që njerëzit punojnë dhe merren me bagëti e bujqësi.
Isak Bytyçi thotë se ka punuar në ndërtim edhe në Jugosllavi, por që në “Zvicër paguhet më shumë”. Ai thotë se do të qëndrojë sa ta lejojnë.