Këto janë qytetet më të mira në botë për të jetuar

Kuriozitete December 09, 2018 - 15:52
Lexo detajet

Pas një mbizotërimi shtatëvjeçar, qyteti australian, Melburn, më në fund e ka humbur pozitën e parë si qyteti më i mirë në botë për të jetuar. Njësia për analiza e gazetës “The Economist” e ka renditur atë në vendin e dytë, me vetëm 0.7 për qind më pak pikë se vendi i parë. Këtë vend ia rrëmbeu kryeqyteti austriak, Viena. Ajo u vlerësua me 99.1 % pikë pozitive.

Vlerësimi përfshin stabilitetin, kujdesin shëndetësor, mjedisin jetësor dhe kulturor, sistemin e arsimit dhe infrastrukturën e qyteteve të ndryshme në 140 shtete të botës. Ngritja e Vienës në vendin e parë u bë për shkak të rritjes së vlerësimit për aspektin e sigurisë, pasi shumë vende evropiane janë përballur me rrezikun e sulmeve terroriste viteve të fundit.

Përpos Melburnit, ka edhe ndryshime tjera në listën e qyteteve më të mira. Në listën e dhjetë qyteteve më të mira tash janë renditur edhe qytetet japoneze, Tokio dhe Osaka. Ngritja e tyre në pozitën e tretë dhe të shtatë u bë për shkak të rënies së nivelit të krimeve dhe përmirësimeve në rrjetin e trasportit publik. Në anën tjetër, qytetet evropiane, Hamburgu dhe Helsinki, të cilat ishin në vendin e nëntë dhe të dhjetë vitin e kaluar, kanë rënë nga dhjetë qytetet më të mira.

Vendin e nëntë këtë vit e zë kryeqyteti i Danimarkës, Kopenhaga. Ky qytet dhe Viena janë dy qytetet e vetme evropiane në listën e dhjetë qyteteve më të mira për të jetuar. Përpos tyre, bie në sy prania e dy qyteteve tjera australiane në vendet më të larta, përfshirë Sidnein në vendin e pestë dhe Adelaiden në vendin e dhjetë, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.