Shfaqen papritur gropa të thella në Gjirokastër, banorët në panik

Kuriozitete February 15, 2018 - 16:41

Mister i pashpjegueshëm deri tani mbetet prezenca e disa gropave të thella që janë shfaqur krejt papritur në fushën e Dropullit.

Banorët e fshatrave Vanistër dhe Goranxi në Dropull ende janë të shokuar nga pamja e pazakontë. Pas stuhisë më të fundit në fushën e Vanistrës janë parë disa gropa të thella me diametër rreth 3-4 metra.

Në një zonë mjaft të qarkulluar nga njerëzit pranë kompleksit tregëtar “Kalimera”, askush nuk e shpjegon dot prezencën e tyre. Gropat misterioze mendohen të jenë rreth 10 metra të thella. Ato janë të mbushura plot e përplot me ujë të turbullt që nuk lejon të duket fundi. Askush nuk është në gjendje të sqarojë këtë mister.

Mister prezenca e disa gropave të thella në fushën e Dropullit. Situata e pashpjegueshme është bërë shkak për qarkullimin e lloj-lloj hamendësimeve naive dhe teorive konspirative.

Një pjesë e hamendësimeve e lidhin këtë fenomen misterioz me përpjekjet e grupeve të përfshirë nga ethet e floririt. Disa thonë se gropat misterioze janë shkaktuar nga rënia e meteorëve gjatë stuhisë më të fundit që përfshiu krejt luginën e Drinos.

Më realistët e lidhin misterin me shpërthime të ujrave nëntokësore të burimit të Skotinisë rreth 500 metra lag gropave. Sidoqoftë gropat misterioze i kanë zënë banorët dhe autoritetet në befasi. Deri tani nuk ka ndonjë përpjekje për të sqaruar situatën. Por ndërkaq, nuk ka as ndonjë masë parandaluese për të izoluar territorin. Ky do të ishte veprimi i parë për të parandaluar ndonjë rrezik apo aksident për banorët kureshtar, sidomos për fëmijët.

Image
Image
Image
Image
Image