Kompozimi, lidhja e Liburn Jupollit me botën

Kultura March 27, 2016 - 08:54

Veprat e tij janë luajtur nëpër vende të ndryshme për të cilat Liburn Jupolli, kompozitor dhe pianist, thotë se punon shumë që të përshtatet me kulturën, por edhe me muzikën e vendit ku luhet veprat e tij. New Yorku, Budapesti, Roma, Ancona, Parisi janë qytete ku janë luajtur veprat e Jupollit në festivale e koncerte solo. Së fundmi i kthyer në Kosovë, ku është parë në disa paraqitje, kompozitori thotë se asnjëherë nuk është shkëputur nga vendi, në të cilin ka bërë hapat e parë si muzikant.

Në fillimet e tij, Liburn Jupolli tregon për “Zërin”, veprat e tij janë luajtur në festivale si “ReMusica”, “DAMFest”, në “Tingujt e Flautit”. “Pas një kohe duke u prezantuar në Kosovë nga pak në Maqedoni kam krijuar kontakte të tjera, kryesisht prej kontakteve me njerëz që vinin të mbanin masterkurse këtu edhe përmes e-maileve e kontakteve të tjera”, ka thënë artisti, derisa tregon rrugëtimin e veprave të tij nëpër vende të ndryshme të botës. “Dy vepra, njëra një herë e luajtur dhe tjetra dy herë, ka qenë në New York, në dy festivale të ndryshme, “Ghosts of Saint Malo Walls” është paraqitur në ‘NYCEMF’ në vitin 2014, “Sleep Circle”, pjesë elektronike dhe një pjesë për elektronik dhe vokal është luajtur nga një këngëtare kineze, Viola Yip, e cila ka pasur një koncert solo dhe për Festën e Muzikës në New York e ka luajtur prapë”, është shprehur Jupolli, derisa ka thënë se ka prezantuar punë me kompozime, por edhe me instrumente në Budapest të Hungarisë në “Sziget Festival”. “Së fundmi në Finlandë në ‘Sibelius Academy’ dhe në Estoni në Akademinë e Muzikës e kam paraqitur veprën “Low Million”, në Itali dy herë jam prezantuar me punë të veçantë, por edhe me instrumente, në Romë në ‘Mediterranean Biennial’, në Ancona në Itali dhe në vende të tjera”, ka thënë kompozitori.

Ai tregon se deri më tani nuk i është dhënë rasti të ketë ndonjë koncert të madh me veprat e tij, por ai beson se në të ardhmen do të ndodhë një gjë e tillë. “Unë kam dëshirë që edhe nga puna ime, që është për ansambël, orkestrës, piano ta publikoja”, ka thënë Jupolli.

Ai shprehet se gjatë studimeve është munduar sa më shumë të gjejë vende dhe njerëz të ndryshëm në gjithë botën për ta parë se çfarë është duke bërë. “Duhet patjetër të luhen veprat e mia nëpër festivale të ndryshme, për ta parë si tingëllon dhe kështu zhvillohesh”, ka thënë Liburn Jupolli.

Për të sprova e parë për të depërtuar jashtë kufijve të Kosovës është të arrish të komunikosh me njerëz që nuk i njeh. “Një është se merr kritika të ndryshme si të mira, konstruktive, të çfarëdo lloji të cilat janë të natyrës profesionale të vendit ku luhen, që i bie se edhe ti merr një mësim pas asaj kritike dhe përveç kësaj është interesant edhe si arrin muzikën tënde ta shohësh krah për krah me muzikën e vendit ku prezantohet”, është shprehur kompozitori, teksa flet për muzikën e cila momentalisht bëhet në vendin ku luhen veprat e tij dhe jo për muzikën tradicionale.

“Për mua është shkollë sa herë të prezantoj ose të luaj. Zakonisht zgjedh diçka që kurrë nuk e kisha bërë më parë”, ka thënë Jupolli. Ai tregon se shpesh i ka ndodhur që nuk ka qenë në një shtet dhe ka ndërruar ndonjë gjë në programin e tij, që të ketë komunikim sa më real dhe të bie në një sprovë të vetes edhe me vendin direkt.

“Ka shumë hapësirë në botë për artin e të gjithëve. Po them diçka kaliske, duhet të punosh shumë, nuk do të thotë duhet të pranohesh menjëherë mirë, por mendoj se esenca është të punosh atë që e do, përmes saj të mësosh dhe ta zhvillosh veten”, ka treguar Liburni për gazetën. Sipas tij, puna e kompozitorit nuk është proces që ndodh aty për aty. “Nuk varet prej punës momentale, por prej punës në vazhdimësi”, thotë artisti.

Liburn Jupolli tregon se aktualisht është duke u përgatitur për një master në Francë. “Masteri do të më ndihmoj ta zhvilloj në pjesë të veprimtarisë sime që është e lidhur me teorinë, me antropologjinë, me shkenca mendore dhe me robotikë, të cilën dua të bëj kërkim bile dyvjeçare në Francë e ndoshta edhe diku tjetër”, ka thënë ai. 

Jupolli tregon se është i angazhuar në disa projekte në të njëjtën kohë. “Jam duke e shkruar një pjesë të shkurtër për një pianist në New York”, thotë ai, derisa tregon se është duke punuar intensivisht edhe në Kosovë. Liburn Jupolli për të dytën herë gjatë këtij viti ka bashkëpunuar me pianistin dhe kompozitorin, Ilir Bajri. Në koncertin e fundit me Iliri Bajrin në “ndeshjen e miqësorëve” të sinteve, ata kanë gërshetuar stile të ndryshme të muzikës. Për koncertin e ndarë në dy pjesë ata kanë interpretuar veprat e tyre. “E patëm një program me vepra të caktuara, por në moment të fundit Iliri e propozoi si ide të mos i luajmë fiks ato vepra edhe më shumë u bazuam të ndjekim diçka që është melodike dhe që bazohet pak a shumë në punën në program dhe e kemi interpretuar aty për aty”, ka thënë Jupolli, sipas të cilit, Ilir Bajri është përkrahës i madh i të gjithë muzikantëve të rinj.

Liburn Jupolli thotë se si projekt studimor është duke punuar në krijimin e një institucioni për muzikë dhe teknologji në Kosovë. Ai tregon se është një projekt shumë i gjatë, në të cilin ka filluar të punojë bashkë me artistë të tjerë, por nuk zbulon më shumë detaje, pasi, siç thotë ai, është fillimi i projektit. “Do ta bëjmë një vend ku të rinjtë mund të vijnë të mësojnë lëndë të ndryshme që kanë lidhje me produksion, me inxhinieri të muzikës, informatikë të muzikës në një vend”, ka thënë kompozitori Jupolli, i cili ka fituar çmimi e dytë në garën e kompozitorëve në kuadër të konservatorëve në Paris për veprën “Micro-suite en blanc et noir”, për piano, solo luajtur nga pianistja Soyen Kwon.