Filozofi dhe sociologu francez Edgar Morin vdes në moshën 104-vjeçare
Sociologu, filozofi dhe mendimtari i njohur francez, Edgar Morin ka ndërruar jetë në moshën 104-vjeçare, në Paris, sipas “Le Monde”.
Morin konsiderohej një nga intelektualët më me ndikim të shekullit XX dhe XXI, i njohur për qasjen e tij ndërdisiplinore dhe konceptin e tij të “mendimit kompleks”.
I lindur si Edgar Nahoum më 8 korrik 1921 në Paris, ai vjen nga një familje hebreje me origjinë nga Selaniku.
Nëna e tij, Luna, vdiq kur ai ishte vetëm 10 vjeç, një ngjarje që ai vetë e përshkruante si një “Hiroshima e brendshme” dhe që ndikoi thellësisht në mënyrën e tij, të të menduarit mbi jetën dhe vdekjen.
Nga rezistenca te mendimi kritik evropian
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Morin u bashkua me Rezistencën franceze kundër nazizmit.
Ai ishte për një periudhë anëtar i Partisë Komuniste Franceze, por më vonë u distancua nga stalinizmi, duke mbajtur një qëndrim kritik ndaj ideologjive të mbyllura dhe totalitare.
Pas luftës, ai u shndërrua në një nga figurat kryesore të sociologjisë moderne franceze, duke punuar në institucione kërkimore dhe universitete të ndryshme.
Ai u bë i njohur për analizat mbi shoqërinë bashkëkohore, kulturën e masave, politikën dhe kompleksitetin e botës moderne.
“Mendimi kompleks” si trashëgimi intelektuale
Kontributi i tij më i rëndësishëm është teoria e “mendimit kompleks” – e cila synon të tejkalojë ndarjet tradicionale midis disiplinave shkencore.
Sipas Morin, realiteti nuk mund të kuptohet përmes një qasjeje të vetme, por vetëm përmes ndërthurjes së sociologjisë, filozofisë, biologjisë, politikës dhe kulturës.
Ai ishte autor i një seri veprash me ndikim, përfshirë “La Méthode”, një projekt monumental në disa vëllime mbi kompleksitetin e njohjes dhe sistemet e mendimit.
Një intelektual i angazhuar deri në fund
Edhe në dekadat e fundit të jetës, Morin ishte aktiv në debatet publike mbi krizën ekologjike, globalizimin, demokracinë dhe edukimin.
Ai shpesh kërkonte një “revolucion të ndërgjegjes” përballë sfidave globale, duke theksuar nevojën për një mendim më humanist dhe të ndërlidhur.
Në shkrimet e tij autobiografike, ai shpesh theksonte idenë se jeta e tij nuk ishte një “karrierë”, por një “jetë e jetuar në tension me botën dhe me vetveten”.
Trashëgimia
Edgar Morin mbetet një nga figurat më të rëndësishme të mendimit bashkëkohor evropian, duke ndikuar në fusha të tilla, si sociologjia, filozofia e shkencës, edukimi dhe studimet kulturore.
Vepra e tij vazhdon të përdoret gjerësisht në universitetet botërore dhe konsiderohet themelore, për kuptimin e kompleksitetit të shoqërive moderne.
Ai la pas një trashëgimi të gjerë intelektuale, që lidh historinë e shekullit XX me sfidat e botës globale të shekullit XXI. /atsh