Qëndisja me ojë, element i identitetit kulturor gjirokastrit

Qëndisja me ojë, element i identitetit kulturor gjirokastrit

Kultura February 13, 2026 - 22:13

Qëndisja me ojë përfaqëson një nga format më të vyera të trashëgimisë sonë artizanale, një dëshmi e gjallë e mjeshtërisë dhe identitetit kulturor.

Ojnat apo qëndisja me oje, është një metodë e artit të qëndisjes me dorë, kryesisht me gjilpërë të hollë, me fije ari ose fije argjendi të holla.

Në çdo fije të ojës ka durim, dashuri dhe trashëgimi. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër përcjell modele të kësaj metode qëndisjeje, e përdorur gjerësisht në vitet 1958-1990. Në Gjirokastër, dikur, njihej si puna me “cimb” (puna me gjilpërë të hollë) dhe meqënëse është një teknikë ku puna del shumë e bukur është përdorur kryesisht në: pajat e vajzave, duke qëndisur nga çarçafët, këllëfët e jastëkëve, këmishat e natës, çentrot e zbukurimit të mjedisit shtëpiak etj; në kostumet popullore të nuses gjirokastrite dhe asaj lunxhote, ndërsa në kostumet e tjera gjendet kryesisht tek shamia e kokës dhe brezi.

DRTK Gjirokastër citon etnografin e njohur gjirokastrit Stavri Çati, sipas të cilit, nëse nuk di punën me ojë nuk mund të quhesh se di të punosh punët e dorës.

Stavri Çati ka studiuar thellë kostumin lunxhot, një nga perlat e kostumografisë shqiptare ku pjesa e këmishës në jakë dhe mëngë është e punuar me këtë lloj metode.

Qëndisja me ojë vazhdon edhe sot të ruhet dhe trashëgohet ndër breza në Gjirokastër si një element thelbësor i identiteti të lidhur ngushtë me traditën./atsh