Koncert Homazh për Skënderbeun në Lezhë
Nën patronatin e Bashkisë së Lezhës, u mbajt koncert në nderim të jetës dhe veprës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut me rastin e 558 vjetorit të vdekjes! Koncerti u ndërtua mbi vepra korale, operistike shqiptare, romanca dhe vepra skenike që në epiqendër kishin figurën epike të Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Koncerti u hap me një moment dramatik e simbolik: “Skena e vdekjes së Skënderbeut”, ku fjala e fuqishme e Xhevat Limanit dhe interpretimi Era Hoxhës ishin thirrje kolektive se vetëm duke vlerësuar të kaluarën mund të ndërtojmë një të ardhme të ndritur!
Prezatimi u bë nga Besiana Mehmedi e cila në fjalën hyrëse vlerësoi rëndësinë e Kuvendit të Lezhës si simbolikë e bashkimit kombëtar! Programi vijoi me himnin e vjetër shqiptar “Porsi fleta”, për të kaluar tek thirrja atdhetare “Për mëmëdhenë, o trima luftëtarë”, nën dirigjimin e prof.Dr Arifikmet Xhemailit, ku kori “Akapella” solli forcën dhe madhështinë e këngëve tona korale patriotike!
Një nga momentet më prekëse ishte kënga arbëreshe “Kjani trima”, interpretuar nga artistja lezhjane Anjeza Qosja, me shoqërim violinë dhe piano, duke i dhënë veprës një ndjeshmëri të veçantë artistike. Zëri i Besiana Mehmedit u dallua në “Hej ju male” të Çesk Zadesë, pjesë nga filmi Skënderbeu, dhe më pas në “Hero i kombit” kushtuar Skënderbeut, ku figura e heroit u shfaq si dritë udhërrëfyese për kombin dhe një figurë që bëri të pavdekshëm emrin e Shqipërisë!
Me “Legjendat këndoja me mall” kushtuar komandantit legjendar Adem Jashari dhe shkronjave të arta UÇK- kori, Xhevat Limani dhe Besiana krijuan një bashkim të fuqishëm fjale e kënge që ngriti publikun në këmbë! Shkëlqeu në skenë edhe sopranoja Era Hoxha e cila solli interpretim plot ndjenjë në “Agimet shqiptare” dhe “Moj e bukura More”, duke rikthyer mallin, kujtesën por dhe forcën e kombit tonë.
Momenti i “Porosive të Skënderbeut”, nga Xhevat Limani,paraqiti një momente nga prijësi i Ballkanit i cili orientoi popullin tonë drejt Evropës dhe perëndimit, reflektimi dhe mesazhe këto që vazhdojnë të jenë aktuale dhe sot. Programi u kurorëzua me duetet” Moj e bukura Arbëri”, interpretuar nga Era Hoxha dhe Besiana Mehmedi, këngë kjo e pavdekshme arbëreshe e cila shprehë tërë dashurinë për tokat arbërore.
Në skenë u bashkua maestro Zhani Ciko, së bashku me korin “Akapella” duke i dhënë koncertit një dimension të veçantë profesional dhe artistik. Mbrëmja u mbyll me “Rrjedh në këngë e ligjërime”, interpretuar nga Era Hoxha Besiana Mehmedi dhe kori i studentëve – një përfundim i denjë që bashkoi këngën, fjalën dhe frymën e punës së përkushtuar të tre gjeneratave.
I tërë koncerti u shoqërua nga pianistja Rudina Ciko, profesoreshë në Universitetin e Arteve në Tiranë ndërkaq u konceptua nga drejtori artistik Shkodran Tolaj i cili iu qas kësaj ngjarje me përkushtim të jashtëzakonshëm! Pas koncertit të gjithë artistët bënë homazhe tek varri i Skënderbeut ku u vendosën dhe kurora lulesh nga formacioni artistik “Besiana&të mirët e kombit"./rtk