Ndahet nga jeta shkrimtari Rushit Ramabaja
Ka vdekur në moshën 77-vjeçare poeti e gazetari Rushit Ramabaja, kanë njoftuar familjarët e tij të shtunën.
Ai ishte i njohur për publicistikën në Kosovë dhe jashtë saj. Nga viti 1972 e deri më 2001 ka punuar në të përditshmen e “Rilindje”, si gazetar dhe redaktor i rubrikës së kulturës.
Pas lufte i ishte përkushtuar shkrimeve, dhe më vitin 2004 botoi veprën “Mareci i shpresës së mirë”.
Në vitin 2006 iu kthye përsëri gazetarisë duke u angazhuar si gazetar dhe redaktor i rubrikës së kulturës në të përditshëm “Lajm” ku qëndron gjer më vitin 2009.
Pas kësaj kohe punoi në Radio Kosova. Në vitin 2018, ai ishte laureuar me Çmimin “Azem Shkreli” për vepër jetësore, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës.
Për vdekjen e Ramabajës ka shkruar edhe kryeministri Albin Kurti. Ai ka thënë se Ramabaja do të mbetet “një emër i përveçëm mes shkrimtarëve dhe gazetarëve më autentikë në historinë e kulturës në Kosovë, për letërsinë dhe gazetarinë e shkruar prej tij”.
Pos “Mareci i Shpresës së Mirë”, Ramabaja ka shkruar edhe “Kangjella e Damastionit”; “Një gomar në Parlament”; “Rrëmbimi i vajzës së këngës”; “Amazanat në prillin e pushtimeve”; “Shtëpia ku nuk vdiset (Rekuiem për Xheladin Hanën)”: romani “Gruaja e Jezusit”; vëllimi poetik në shqip dhe greqisht “Euridika në mollën e ndaluar” etj.
Familja ka njoftuar se ceremonia e varrimit do të bëhet të dielën prej orës 13:00 në varrezat familjare në fshatin Shkabaj të Prishtinës.
E për Ramabajën, Ministria e Kulturës ka njoftuar se ka organizuar të dielën mbledhje komemorative në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës me fillim prej orës 12:00.
“Rushit Ramabaja ishte një zë i veçantë i letërsisë shqipe, intelektual i përkushtuar dhe kontribuues i palodhur në jetën kulturore. Vepra dhe mendimi i tij do të mbeten pjesë e rëndësishme e kujtesës sonë kolektive”, u tha në njoftimin e MKRS-së.