Kriza e Eurovision 2026, diskutohet pjesëmarrja e Izraelit mes kërcënimeve për bojkot
Festivali evropian i këngës Eurovision po përballet me një moment vendimtar për edicionin e vitit 2026. Të enjten, anëtarët e Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU) pritet të diskutojnë dhe të votojnë mbi pjesëmarrjen e Izraelit, ndërsa disa transmetues publikë evropianë paralajmërojnë bojkot për shkak të luftës në Gazë.
Transmetuesit e Sllovenisë, Irlandës, Spanjës dhe Holandës kanë paralajmëruar tërheqjen nga gara nëse Izraeli lejohet të marrë pjesë, duke përmendur mbi 70 mijë viktima palestineze.
Eurovisioni, i njohur për përpjekjet për të mbajtur festivalin jashtë politikës, tani ndodhet në një situatë të ndërlikuar. Një bojkot nga disa prej mbështetësve më të mëdhenj evropianë rrezikon audiencën dhe sponsorizimet, ndërsa kritikët akuzojnë Izraelin për ndikim të padrejtë në renditjen e vitit të kaluar.
Eksperti i Eurovisionit, Paul Jordan, e përshkroi situatën si “moment vendimtar” për garën, ndërsa fansat paralajmërojnë se mungesa e Izraelit mund ta izolojë festivalin. Nga ana tjetër, disa transmetues si NRK i Norvegjisë e përshkruan situatën si “premtuese” për ndryshime që mund të sigurojnë neutralitetin e konkursit.
Transmetuesi izraelit KAN thekson se diskutimet për përjashtim janë të pabaza dhe se është në përputhje me rregullat e EBU-së, duke vlerësuar kontributin e artistëve izraelitë në Eurovision.
Rusia, ndërkohë, mbetet e përjashtuar nga gara që prej pushtimit të disa pjesëve të Ukrainës në vitin 2022. /kultplus