Homazh për Alban Bujarin në Fotoist, një zë i paharrueshëm i fotografisë kosovare

Homazh për Alban Bujarin në Fotoist, një zë i paharrueshëm i fotografisë kosovare

Kultura November 01, 2025 - 16:02

Në kuadër të edicionit të fundit të FOTOIST – Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë, u zhvillua një homazh emocionues për Alban Bujarin, një nga figurat më të rëndësishme të fotografisë kosovare.

Bujari njihej për aftësinë e tij unike për të kapur dhimbjen, shpresën dhe humanizmin në çdo imazh. Puna e tij kolosale mbetet një dëshmi e ndjeshmërisë, dashurisë për jetën dhe lirinë, si dhe përkushtimit ndaj dokumentimit të realitetit të Kosovës. Në çdo fotografi, ai bashkëjetoi me përvojat e dhimbshme të viktimave të luftës, duke u bërë një zë i fuqishëm për ata që shpesh nuk mund të flisnin vetë.

Familja Bujari shprehu mirënjohjen e saj për bashkëpunimin dhe mbështetjen gjatë këtij homazhi, ndërsa portali Telegrafi u falënderua për kujdesin dhe bashkëpunimin medial. Një falënderim i veçantë shkon për Korab Bashën, autorin e homazhit, për përkushtimin dhe ndjeshmërinë me të cilën solli kujtimin e Albanit.

Ky homazh rikujtoi publikun për trashëgiminë vizuale të Bujarit dhe ndikimin e tij të paharrueshëm në artin dhe memorien kolektive të Kosovës. Fotografitë e tij, të mbushura me emocion dhe realitet, do të mbeten gjithmonë pjesë e historisë vizuale të vendit.

“Kujtimi për Alban Bujarin do të mbetet gjithmonë pjesë e historisë sonë vizuale,” theksojnë organizatorët e festivalit.