“Mirror”: Tirana, destinacioni i preferuar i britanikëve për pushime në vjeshtë

“Mirror”: Tirana, destinacioni i preferuar i britanikëve për pushime në vjeshtë

Kultura October 19, 2025 - 13:23

Shqipëria është një vend i pasur me kulturë dhe histori dhe gjithashtu një nga destinacionet më të përballueshme në Evropë për pushime, shkruan Vita Molyneux në të përditshmen britanike “Mirror”.

Për pushime mahnitëse në vjeshtë, nuk ka nevojë të shpenzoni shumë para ose të udhëtoni larg. Në fakt, një nga destinacionet më marramendëse është praktikisht shumë pranë Brirtanisë së Madhe!

Shqipëria, me një kulturë të pasur dhe histori interesante, është një destinacion i jashtëzakonshëm.

Kryeqyteti i saj, Tirana, është shpallur si vendi më i lirë në Evropë për pushime nga britanikja “Time Out”.

“Time Out Europe” raportoi se kjo perlë shqiptare është një nga vendet më të përballueshme për të zbuluar – me bileta të muzeve që variojnë nga 3 deri në 6 euro. Gjithashtu, ju mund të shijoni një birrë për vetëm 3 euro.

Historia e Shqipërisë është magjepsëse. Nga viti 1945 deri në vitin 1985, i gjithë kombi ishte praktikisht i paarritshëm për shkak të sundimit të diktatorit komunist Enver Hoxha.

Nëse dëshironi të njiheni me shumë me këtë histori, një vizitë në Muzeun Historik Kombëtar do të ishte thelbësore.

Muzeu pasqyron historinë e ashpër të Shqipërisë dhe është i mbushur me objekte interesante. Një vizitë këtu mund të zgjasë deri në tre orë.

Gjithashtu, ia vlen të vizitohet muzeu “Shtëpia me Gjethe” – një ndërtesë, dikur e përdorur si klinikë mjekësore gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pas nga Gestapoja nën pushtimin gjerman.

Menjëherë pas përfundimit të luftës, ajo u rimor nga regjimi komunist shqiptar dhe u përdor si zyrë sigurie për hetime.

Tirana, e njohur për jetën e gjallë të natës, ofron më shumë sesa thjesht muze.

Nëse dëshironi një koktej në mbrëmje, do t’ju kushtojë vetëm 7 euro.

Një tjetër avantazh është se temperaturat e vjeshtës në Tiranë janë shumë më të ngrohta se në Britaninë e Madhe – zakonisht variojnë në rreth 25 gradë Celsius gjatë shtatorit dhe tetorit.

Shqipëria është destinacioni ideal për pushime në fundjavë, pasi udhëtimi nga Londra në Tiranë zgjat pak më shumë se tre orë.

Tani është koha e përsosur për të zbuluar këtë qytet të mrekullueshëm.

Shqipëria po fiton tashmë popullaritet midis turistëve britanikë.

Sipas një studimi të kryer nga “Saga Holidays” kërkimet (searchings) në Britaninë e Madhe për pushime në Tiranë janë rritur me 91% nga viti në vit.

Kjo sugjeron që britanikët po kërkojnë destinacione me diell dhe vlera kulturore përtej vendeve të preferuara të zakonshme bregdetare. /atsh