
Fillon sot Java e Bibliotekës, edicioni i 22-të
Biblioteka kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” organizon edicionin e 22-të të Javës së Bibliotekës”, që këtë vit merr përmasa ndërkombëtare. Java e Bibliotekës për këtë vit do të nisë të hënën e 6 tetorit për të vazhduar deri më 12 tetor.
Për herë të parë në këtë ngjarje marrin pjesë ekspertë nga bibliotekat kombëtare e mëdha të rajonit dhe Evropës, duke sjellë përvoja unike përmes prezantimeve mbi praktikat dhe zhvillimet më të reja në fushën e bibliotekarisë.
Pikat kryesore të programit: Lansimi i rrjetit bibliotekar të Kosovës (48 biblioteka të lidhura në një sistem të unifikuar), ekspozita “Trashëgimia orientale në Kosovë” me dorëshkrime dhe botime të rralla nga fondet e Bibliotekës Kombëtare, sesione shkencore mbi: digjitalizimin, ruajtjen e trashëgimisë, teknologjinë dhe identitetin kulturor, promovimin e leximit, përkthimin e letërsisë shqipe dhe qasjen ndërkombëtare, të drejtën e autorit dhe rolin e bibliotekave, diskutime mbi Inteligjencën Artificiale dhe bibliotekat, me ekspertë kombëtar, promovim i katalogut “Thesare të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës”, përkujtim për Martin Camajn në 100-vjetorin e lindjes, program kulturor e letrar me lexime, promovime librash dhe diskutime me shkrimtarë e përkthyes dhe shfaqje filmash nga kinematografia kosovare çdo mbrëmje në Bibliotekën Kombëtare.
Java e Bibliotekës do të shtrihet edhe në qytete si Prizren, Pejë, Gjakovë dhe Suharekë, me aktivitete të posaçme për fëmijë, të rinj dhe lexues të apasionuar.