
Vdiq Robert Redford, aktori dhe regjisori i madh amerikan
Robert Redford, një nga ikonat më të mëdha të kinemasë amerikane, ka ndërruar jetë të martën në mëngjes në shtëpinë e tij në Utah, në moshën 89-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga Cindi Berger, drejtuese ekzekutive e firmës së marrëdhënieve me publikun Rogers & Cowan, e cila tha se Redford u nda nga jeta në gjumë, “në vendin që donte dhe i rrethuar nga njerëzit që i donte”.
Redford ishte i njohur fillimisht si një nga aktorët më të pëlqyer të Hollywood-it, përpara se të fitonte famë edhe si regjisor dhe aktivist. Ai fitoi çmime të mëdha, përfshirë “Oscar”-in, dhe filmat e tij shpesh trajtonin tema të rënda si pikëllimi dhe korrupsioni politik, duke i bërë ato të prekshme për publikun e gjerë.
Përtej ekranit, Redford ishte një zë i fuqishëm për mbrojtjen e mjedisit dhe themelues i festivalit të pavarur të filmit “Sundance”, i cili u bë një pikë referimi për kinemanë alternative në Shtetet e Bashkuara.
Me një karrierë që la gjurmë të pashlyeshme në kulturën amerikane, Robert Redford do të mbahet mend si një yll i madh i kinemasë dhe një personalitet që i dha zë çështjeve sociale e mjedisore.
Retford luajti në filmat klasikë si “Butch Cassidy and the Sundance Kid” (1969), “The Sting” (1973) dhe “All the President’s Men” (1976)./rtk