
“Scorpions” ndezin Tiranën pas 24 vitesh mungesë
Pas një pauze prej 24 vitesh, legjendat e muzikës rock, “Scorpions”, u rikthyen në Tiranë duke sjellë një spektakël të paharrueshëm në sheshin “Skënderbej”.
Mijëra fansa nga Shqipëria, rajoni dhe vende të tjera u mblodhën mbrëmjen e së dielës për të përjetuar nga afër magjinë e një prej grupeve më të famshme të skenës ndërkombëtare.
Në skenë u ngjitën anëtarët e njohur të grupit: Mikkey Dee, Matthias Jabs, Klaus Meine, Rudolf Schenker dhe Paweë Mëciwoda, të cilët u pritën me ovacione dhe duartrokitje të gjata nga publiku entuziast. Ata interpretuan disa nga hitet e tyre më të njohura, mes tyre “Still Loving You”, “Send Me an Angel” dhe “Rock You Like a Hurricane”.
Momenti kulmor i koncertit ishte interpretimi i këngës ikonike “Wind of Change”, e cila në vitet ’90 u kthye në simbol të lirisë dhe rënies së diktaturave në Europën Lindore, përfshirë edhe Shqipërinë.
Ky rikthim në Tiranë përkon me 60-vjetorin e themelimit të grupit dhe shënon njëkohësisht përmbylljen e turit të tyre europian.
Për shumë shqiptarë, koncerti solli kujtimet e performancës së parë të Scorpions në vitin 2001 në stadiumin “Selman Stërmasi”. Por këtë herë, një brez i ri ishte i pranishëm – ai që e ka njohur muzikën e tyre përmes prindërve dhe që mbrëmë përjetoi fuqinë e një muzike që sfidon kohën.